Lidhje

Dick Gephard, kandidati demokrat për president - 2004-01-12


Me fillimin e vitit të ri, në Shtetet e Bashkuara filloi edhe sezoni i zgjedhjeve në degët e partisë demokrate për të emëruar kandidatin e kësaj partie për president, i cili do të përballet në nëntor me kandidatin republikan, presidentin e tanishëm George Bush.

Një numër demokratësh po konkurojnë për emërimin e partisë demokrate. Midis tyre është edhe një ish-kandidat për postin e presidentit. Ky është ligjvënësi Dick Gephardt, i cili humbi në përpjekjet për t’u zgjedhur president në vitin 1988. Në fushatën e tanishme, duket se kandidati nga Mizuri i ka bërë ndryshime taktikës së tij.

Kandidati Gephardt po përpiqet të fitojë votat e demokratëve në Iowa. Zgjedhjet në degën e partisë demokrate në këtë shtet do të jenë një parathënie e qëndrimit të votuesve demokratë ndaj kandidatëve. Por analisti Larry Sabato thotë se këto rezultate mund të jenë vendimtare për zotin Gephardt:

"Nëse ai humbet në Iowa, mbetet jashtë garës. Në fushatën e tij për t’u zgjedhur president në ’88, ai fitoi në këtë shtet" thotë zoti Sabato.

Pas Iowa-s, fushata e vitit ’88 filloi të lëkundet për kandidatin Gephardt. Por ai vazhdoi të ishte deputet në Dhomën e Përfaqësuesve, duke u bërë drejtues i deputetëve demokratë të kësaj dhome, detyrë nga e cila hoqi dorë pak para se të bënte një njoftim të rëndësishëm në shkurt 2003.

Avantazhi i tij i madh është përvoja, thotë analisti Sabato. Por ai shihet si disi i mërzitshëm, pra ka një disavantazh.

Por ligjvënësi nga Karolina e Jugut James Clayburn thotë se ky është një perceptim i gabuar: "Unë jam rritur me të njëjtën edukatë si zoti Gephard. Ne nuk dimë të flasim për veten. Kjo veti është e gdhendur kaq thellë brenda tij, saqë kur konkuroi në fushatën e mëparshme ai nuk pranoi të fliste asnjëherë për veten", thotë ligjvënësi.

Këtë herë Dick Gephardt po bazohet më shumë në planin personal, duke bërë fushatë me gruan, Jane, dhe vajzën e tij homoseksuale, Chrissy. "I dua të gjithë fëmijët e mi pa masë" thotë Gephard.

Ai ka propozuar një plan për kujdesin shëndetësor, të cilit i ka vënë emrin e të birit, Mat, i cili ka qenë më parë me kancer.

Por Dick Gephardt po vë tani më së shumti në dukje prejardhjen e tij si biri i një sindikalisti, në mënyrë që të bindë votuesit se ai është personi i përshtatshëm për t’ju mbrojtur vendet e punës. "Kemi parë sesi janë shkurtuar vende pune në Amerikë, jo vetëm në industrinë e tekstileve dhe çelikut, por edhe në informatikë. Një prirje me ritme alarmante", thotë kandidati.

Nëse zgjidhet president, ligjvënësi Gephardt thotë se do të anulojë marrëveshjen e tregtisë së lirë për Amerikën e Veriut, NAFTA, të cilën e kundërshtoi që në fillim: "Presidenti Klinton u mundua me sa kishte në dorë për të siguruar mbështetjen e zotit Gephardt për marrëveshjen NAFTA. Por zoti Gephardt nuk pranoi, pasi nuk mund të harrojë se sa vuanin nëna dhe babai i tij për të përballuar jetesën, thotë ligjvënësi Clyburn.

Zoti Clayburn shton se e kaluara e zotit Gephardt si biri i një shoferi kamioni që shpërndante qumështin e ka ndihmuar të sigurojë përkrahjen e sindikatave të metalurgëve si dhe të punëtorëve në shtete si Karolina e Jugut, ku janë shkurtuar 63 mijë vende pune në industrinë e tekstileve në 11 vitet e fundit.

"Diçka nuk shkon në këtë skenar. Arsyeja që ka çuar në këto shkurtime është kalimi i vendeve të punës në Amerikën e Jugut, përtej kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara", thotë Gephardt.

Angazhimi i zotit Gephardt për t’u prerë rrugën këtyre shkurtimeve ka tërhequr përkrahjen e sindikatave, por ka grupe punëtorësh që mbështesin rivalin e tij demokrat, ish-guvernatorin e Vermontit Howard Dean.

Walter Russell Mead i këshillit për marrëdhëniet me jashtë thotë se kjo përçarje mund ta dëmtojë ligjvënësin: "Sektori i lëvizjes punëtore që përkrah zotin Gephardt ka humbur një pjesë të rëndësisë në shkallë kombëtare" thotë zoti Mead.

Një tjetër problem i mundshëm, thotë këshilltari politik Larry Haas, është platforma disi e papërcaktueshme e zotit Gephardt: "Ai pa dyshim është i moderuar, i qendrës. Por nëse shikon çështje si tregëtia, ai është treguar më së tepërmi proteksionist sesa mbështetës i tregtisë së lirë. Prandaj është vështirë të përcaktosh qëndrimin e tij".

Ligjvënësi James Clayburn mendon se ky individualitet është një karakteristikë pozitive e zotit Gephardt: "Mendoj se liberalizmi ka vendin e vet, po ashtu edhe konservatorizmi. Pikërisht kjo më pëlqen tek zoti Gephardt- ai përfaqëson një baraspeshë të nevojshme".

Por mbetet për t’u parë se si do ta vlerësojnë atë demokratët e shtetit Iowa. "Nëse nuk merr vota të mjaftueshme në Iowa, mund të thuash se fushata e tij po fundoset", thotë zoti Clayburn.

Vetë kandidati ka besim dhe është i gatshëm për zgjedhjet presidenciale të vjeshtës: "Do të kem rezultate të forta deri në fund të fushatës dhe mendoj se do të fitoj. Ka ardhur koha për ndryshime, për një president që do t’i gjendet pranë punëtorëve të këtij vendi". Për këtë arsye, thotë Dick Gephardt, do ta vazhdojë garën deri në përfundim të konkurimeve në shtete të veçanta, gjatë katër muajve të ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG