Lidhje

Profil i kandidatit demokrat për president John Kerry - 2004-01-14


Në Shtetet e Bashkuara ka filluar tashmë sezoni i zgjedhjeve në degët e Partisë demokrate për të emëruar kandidatin e kësaj partie për president, i cili do të rivalizojë në nëntor me presidentin George Bush. Mes kandidatëve demoratë, të cilët po konkurojnë për emërimin e partisë demokrate, është edhe senatori nga Masaçusets John Kerry.

Kur senatori nga Masaçusets John Kerry hyri në garën presidenciale, pritej që ai të ishte kandidati më i fortë për të marrë emërimin e partisë demokrate. Pra, pikërisht një ndër të papriturat e fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara deri tani ka qenë fakti që ish guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, po gëzon epërsi ndaj senatorit John Kerry në përpjekjet për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për president. Fushata e senatorit Kerry është gjallëruar disi ditët e fundit, por ai nuk ka arritur nivelet e pritura. Ai ka përpara një fushatë të vështirë.

Deri tani, senatori Kerry renditet pas disa kandidatëve në anketa. Publicisti James Gibney i revistës Foreign Policy shpjegon arsyet e mundshme: "Mendoj se njerëzit e shohin si tepër elitist, gjë që e pengon të arrijë lidhjen e duhur me masat", thote publicisti.

Megjithëse zoti Kerry vjen nga një familje e pasur, ai thotë se kurrë nuk ra në vetëkënaqësi nga jeta e privilegjuar: "Unë e konsideroja veten të privilegjuar, pasi më ishin krijuar mundësitë. Por prindërit ma kishin bërë të qartë se gjithësecili ka përgjegjësi ndaj botës përreth dhe se duhet të japë kontributin e tij".

Në vitet ’60 zoti Kerry ishte toger në Vietnam. Ai u kthye me dekorata, të cilat i mori gjatë shërbimit në marinë, por me t’u kthyer në atdhe, ai ngriti zërin kundër luftës. Vietnami mund ta ketë shndërruar juristin e ri në politikan, por ai nuk e dinte se ku do ta çonte karriera politike:

A dëshiron të bëhesh president?- e pyet gazetari. "President i Shteteve të Bashkuara? Jo, nuk dua", u përgjigj Kerry në atë kohë, duke shtuar se kjo është një pyetje e çmendur.

Por duket, se tani senatori ka ndryshuar mendje lidhur me atë pyetje. Ai thotë se po u zgjodh president, do të përmirësojë jetën e klasës së mesme amerikane dhe do të përpiqet për mbrojtjen e mjedisit. Ai propozon gjithashtu një drejtim të ri për Irakun.

"E vetmja mënyrë për arritjen e suksesit është t’ia kalojmë Kombeve të Bashkuara autoritetin për rindërtimin e Irakut, si dhe drejtimin e përpjekjeve për transformim, tha senatori.

Por kritikët e zotit Kerry vënë në dukje se vjet ai votoi për të autorizuar presidentin Bush për të filluar luftën, dhe më pas, votoi kundër amendamentit për të caktuar fonde për shpenzimet e luftës.

Analistët mendojnë se këto qëndrime mospërputhëse mund ta dëmtojnë senatorin: "Njerëzit nuk e njohin dhe kanë krijuar përshtypjen se ai vetë nuk e di se kush është dhe se do të ndryshojë qëndrim sa herë ndryshojnë erërat", - thotë analisti.

Senatori Kerry e kundërshton këtë lloj perceptimi: "Nuk ka asnjë mospërputhje. Që në fillim kam thënë se duhet të ndeshemi me Sadam Huseinin dhe këtë e kam mbështetur me votën time", - thotë ai.

Probleme të tjera për senatorin Kerry kanë qenë zëvendësimi i një drejtuesi të fushatës, problemet e organizimit të fushatës dhe një vendim i fundit për financimin e saj. Pasi kandidati tjetër demokrat Howard Dean vendosi të mos ndjekë planin për kufizime në shpenzimet për fushatën, senatori Kerry ndoqi të njëjtin shembull. Ai ka përdorur edhe fonde personale për të financuar një pjesë të fushatës. Megjithatë, senatori ka përkrahësit e tij.

Por analisti politik Walter Russell Mead nuk mendon se senatori ka një numër të mjaftueshëm përkrahësish: "Një kandidat mund të duket i përkryer në letër, si një alternativë shumë e volitshme për vendin, megjithatë mundet që votuesit të mos kenë të njëjtin mendim. Duket se kjo po ndodh me senatorin Kerry", - thotë analisti.

John Kerry po përpiqet ta ndryshojë imazhin e tij me reklama optimiste. Ai po përpiqet të tingëllojë sa më optimist, duke përdorur terma dhe shprehje pozitive.

Disa analistë thonë se senatori Kerry ka pak shanse për të fituar, por nga zgjedhjet e kaluara, mësuam se politika amerikane është plot të papritura. Vetë Kerry thotë se ka kaluar periudha edhe më të vështira dhe se ai do të jetë i paepur në këtë garë. Por analistët e anketave thonë se zgjedhjet paraprake në Iowa në datën 19 janar dhe një javë më pas në New Hampshire duhet të sjellin rezultate pozitive për senatorin, ose përndryshe, bilanci ekzistues i forcave, nuk ka të ngjarë që të ndryshojë në favor të senatorit Kerry.

//rd//

XS
SM
MD
LG