Lidhje

Plane të reja për misionet amerikane në hapësirë - 2004-01-15


Presidenti Bush paraqiti plane për një seri të re misionesh amerikane në hapësirë, të cilat më në fund mund të përfshijnë edhe fluturime në Mars. Presidenti Bush tha se agjencia amerikane e hapësirës NASA ka një përqëndrim të ri dhe objetiva të qarta për të vazhduar eksplorimin e sistemit diellor me një brez të ri anijesh të hapësirës.

“Ne zgjedhim të eksplorojmë hapësirën, sepse duke bërë një gjë të tillë ne përmirësojmë jetën dhe shpirtin tonë kombëtar, prandaj le të vazhdojmë udhëtimin,” tha presidenti.

Së pari në rendin e ditës së presidentit për eksplorimin e hapësirës është përfundimi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës deri në vitin 2010. Zoti Bush tha se synon të përmbushë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj 15 vendeve partnere dhe të ripërqëndrohet në fushën e kërkimeve drejt kapërcimit të ndikimeve të fluturimeve me njerëz në hapësirë.

“Mjedisi i hapësirës është i dëmshëm për qëniet njerzore. Rrezatimi dhe mungesa e forcës së rëndesës përbëjnë rreziqe për shëndetin e njeriut dhe ne kemi shumë për të mësuar rreth ndikimeve të tyre afat gjatë para se ekujpazhe me njerëz të mund të rrezikojnë nëpër boshllëqet e hapësirës për muaj të tërë para se të kthehen përsëri në tokë,” tha presidenti.

Përfundimi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës do të kërkojë që NASA të dërgojë përsëri në hapësirë disa prej anijeve të hapësirës, të cilat kanë mbetur në tokë që prej katastrofës së vitit të kaluar të anijes Columbia dhe vdekjes së ekuipazhit të saj prej 7 astronautësh.

Deri në fund të këtij dhjetëvjeçari, presidenti Bush tha se e gjithë flota e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë do të ndalojë fluturimet pas një shërbimi prej gati 30 vjetësh. Vendin e saj do ta zëjë një brez i ri anijesh hapsinore, i quajtur Automjeti i Ekujpazhit të Eksplorimit, i cili, tha presidenti, duhet të jetë gati për t’u lëshuar deri në vitin 2014.

Presidenti tha se astronautët do t’i përdorin këto automjete për të udhëtuar në stacionin e hapësirës dhe për t’u kthyer në hënë ndoshta që në vitin 2015. Pas një sërë vëzhgimesh me robot në hënë, zoti Bush tha se astronautët më në fund do të krijojnë një farë baze për kërkime shkencore dhe një vend lëshimesh për eksporime të mëtejshme, përfshirë edhe një udhëtim në Mars.

“Nisja e anijeve të rënda dhe karburantit nga graviteti i tokës është një ndërmarrje e kushtueshme. Anijet e hapësirës të montuara dhe të furnizuara në hënë mund të përdorin shumë më pak energji, duke ulur në këtë mënyrë koston,” tha presidenti.

Ndryshe nga gara e hapësirës gjatë viteve të luftës së ftohtë, presidenti Bush tha se hapësira tani është më shumë si një udhëtim, të cilin Shtetet e Bashkuara synojnë ta bëjnë me vende të tjera në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë.

Një gjë e tillë mund të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të programit, i cili vetëm gjatë 5 vjetëve të ardhshëm do të kushtojë 12 miliardë dollarë. Shtëpia e Bardhë thotë se pjesa më e madhe e këtij fondi do të vijë nga riorganizimi i 11 miliardë dollarëve të buxhetit të tanishëm të Nasës prej 86 miliardë dollarësh.

//ad//

XS
SM
MD
LG