Lidhje

Mijëra irakianë marshojnë në Basra - 2004-01-15


Dhjetra mijëra irakianë protestuan sot në mbështetje të thirrjes së njërit prej klerikëve më të njohur shiitë i cili ka kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta brenda disa muajsh, në vend të planit amerikan që parashikon fillimisht krijimin e një qeverie të përkohshme.

Protestuesit marshuan sot përmes qytetit jugor të Basrës duke mbajtur në duar fotografi të Ajtollahut të madh Ali al-Sistani, i cili është kundër një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara i cili parashikon transferimin e pushtetit brenda këtij viti tek një qeveri e përkohshme, e pazgjedhur me votim të drejtpërdrejtë, por e dalë nga një proces me pjesmarrjen e këshillave rajonale nga i gjithë vendi.

Zyrtarët amerikanë e kanë përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të menjëherëshme duke e arësyetuar këtë me shqetësimet për sigurinë dhe me problemet në regjistrimin e votuesve.

Ndërkohë, në Irak vazhdojnë shkëmbimet e zjarrit midis trupave amerikane dhe elementëve rebelë. Zyrtarët amerikanë thonë se të paktën 7 irakianë u vranë në afërsi të qyteteve Bakuba dhe Tikrit.

NXIRREN NGA QARKULLIMI PARATË ME FOTON E SADAMIT

Në Irak u nxorën nga qarkullimi paratë me fotografinë e Sadam Huseinit dhe tonelata të tëra kartmonedhash të vjetra po digjen nga banka qendrore.

Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi të fuste në qarkullim dinarët e rinj irakianë në tetor dhe u la irakianëve tre muaj afat për këmbyer kartmonedhat e vjetra me të rejat.

Sot, që ishte afati i fundit për këmbimin e parave, zyrtarët në Irak thonë se dinari i ri është forcuar përballë dollarit amerikan. Banka Qendrore thotë se dje një dollar u këmbye me 1100 dinarë, në krahasim me mbi 2000 dinarë për dollar që ishte kursi i këmbimit kur monedha e re u fut në qarkullim.

Kambistët në Bagdad fajësojnë spekulatorët e huaj për ndryshimin e shpejtë të vlerës së dinarit. Ndërsa sot, autoritetet në Liban thanë se konfiskuan një numër kartmonedhash të reja që kapin vlerën mbi 15 milionë dollarë të cilat ishin futur në vend me një avion privat.//ii

XS
SM
MD
LG