Lidhje

SHBA dhe politika e re e hapësirës - 2004-01-15


Shtetet e Bashkuara kanë një politikë të re për hapësirën që e hedh vështrimin përtej stacionit ndërkombëtar orbital. Nisma e re e Presidentit Bush për t’i kthyer astronautët në Hënë në periudhën 2015-2020 parashikon që angazhimi amerikan në këtë fushë të mos kufizohet thjesht në studime. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, David McAlaray i hedh një vështrim domethënies së një nisme të tillë për partneritetin prej 16 vendesh që ishte formuar duke patur në qendër ndërtimin dhe studimet për stacionin e hapësirës:

Stacioni orbital i ka të numëruara ditët, që përpara se të përfundojë së ndërtuari. Ndërtimi është ndërprerë në pritje të rehabilitimit të flotës amerikane të hapësirës, që nuk ka kryer misione që pas tragjedisë së anijes Columbia vitin që kaloi. Megjithatë Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara do ta përfundojnë punën e tyre në stacion në vitin 2010. Ai vë në dukje se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj 15 vendeve të tjera partnere do të çohet deri në fund.

Por çfarë do të ndodhë më pas me stacionin?

Shefi i agjencisë amerikane të hapësirës, NASA Sean O’Keefe jep një përgjigje të vagullt.

“Objektivi do të jetë që të vazhdohet programi i dërgimit të anijeve në hapësirë me synimin për të përfunduar ndërtimin e stacionit ndërkombëtar orbital nga fundi i dekadës. Stacioni i hapësirës do të vazhdojë të funksionojë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe deri në dekadën e ardhshme”, tha ai.

Por ai nuk e qartëson se për sa kohë në dekadën e ardhshme do të vazhdojë programi.

Marcia Smith, eksperte e politikës së hapësirës pranë degës kërkimore të Kongresit Amerikan thotë se plani i ri i presidentit e shkurton kohën e përdorimit të stacionit ndërkombëtar të hapësirës.

NASA thotë se të 15 vendet partnere po shqyrtojnë ftesën e Presidentit Bush për të ndarë së bashku ato që ai i quajti sfidat dhe mundësitë që ofton programi i tij i ri i hapësirës.

Presidenti Bush nuk e kufizoi ftesën e tij për eksplorimin e hapësirës vetëm tek 15 vendet partnere.

“Vizioni që po paraqes sot është një udhëtim, jo një garë dhe u bëj thirrje vendeve të tjera që të bashkohen me ne në këtë udhëtim, në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë”, tha Presidenti.

A do të thotë kjo që edhe Kina mund të marrë pjesë? Pekini sapo ka dërguar astronautin e parë në orbitë. Marcia Smith e Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit, thotë se Presidenti Bush nuk përjashtoi asnjë vend, por ajo vuri në dukje se Kina mund të mos jetë edhe aq e gatshme për një gjë të tillë.

Presidenti e paraqiti vizionin e tij për planet e ardhshme amerikane në hapësirë, në linja të përgjithshme. Do të kalojnë vite që të përpunohen hollësitë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë ende nën varësinë e programit 23 vjeçar ”Shuttle” dhe të stacionit të hapësirës për projekte studimesh që do të ndihmojnë vendin të realizojë synimet e veta eksploruese.//ii

XS
SM
MD
LG