Lidhje

Presidenti Bush nderoi ish udhëheqësin e të drejtave civile, Martin Luther King - 2004-01-16


Udhëtimi i presidentit Bush nuk mbeti pa u shoqëruar me polemika. Në Atlanta të shtetit Georgia, presidenti u prit nga demonstruesit kur mbrriti në vendin e varrit të Martin Luther Kingut.

Policia e Atlantës llogariti se rreth 1 mijë protestues hidhnin sllogane, si për shembull: Bush shko në shtëpi; dhe Paqe e jo luftë. Dy demonstrues u arrestuan.

Vizita e presidentit në ditën që shënoi datëlindjen e 75-të të udhëheqësit të të drejtave civile, ishte e shkurtër. I shoqëruar nga pjesëtarë të familjes King, zoti Bush vendosi një kurorë me lule tek varri, uli kokën, por nuk bëri komente.

Por më parë, gjatë një vizite në një kishë të frekuentuar kryesisht nga afrikano-amerikanët në New Orlieans të shtetit Luiziana, presidenti foli rreth bindjes së Martin Luther Kingut në fuqinë e besimit fetar.

“Kjo ishte diçka që ai e dinte. Dhe ky është një mësim i rëndësishëm që ne këtu në Amerikë të mos e harrojmë se fjala e Zotit mund të mposhtë të fuqishmin, mund të ngrejë të urtin dhe mund të krijojë rehati dhe fuqi për të gjithë ata që dëshirojnë drejtësi dhe liri.”

Presidenti foli nga katedra e kishës, ku i përndershmi King predikonte. Ai i bëri thirrje audiencës që të mbështesë planin e tij, i cili do t’u bënte të mundur institucioneve fetare që të marrin fonde nga qeveria për të ndihmuar në administrimin e programeve shoqërore.

Më pas, Shtëpia e Bardhë lëshoi proklamatën e presidentit me rastin e festës së Martin Luther Kingut. Në të, zoti Bush thotë se festa, që do të përkujtohet të hënën, nderon një amerikan, që ia kushtoi jetën e tij parimeve themelore të lirisë, mundësisë dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë.

Por disa udhëheqës afrikano-amerikanë thanë se vizita e presidentit tek varri i të Përndershmit King nuk ishte e përshtatshme. Disa cituan divergjencat me politikat e brëndshme të administratës, ndërsa të tjerë theksuan vendimin e presidentit për të ndërhyrë në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG