Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë goditjet kundër veprimtarive të paligjshme - 2004-01-16


Rritet përditë e më tepër bilanci i operacionit “Rrjeta e hekurt” i ndërmarrë nga policia shqiptare që prej dy ditësh. Të udhëhequra nga drejtori i policisë kriminale Sokol Bizhga, goditjet që po bashkërendohen me prokurorinë dhe policinë tatimore janë shtrirë deri më tani në më shumë se 8 qytete të vendit.

Deri të premten pasdite në qytetin e Vlorës ishin bllokuar 2 banesa dhe 2 motoskafe, ndërkohë që ka nisur kontrolli edhe mbi të gjitha automjetet.

Në Durrës janë bllokuar katër makina dhe 1 vilë. Të paktën 10 bre e restorante janë në proces sekuestrimi në Tiranë, ndërsa një lokal është bllokuar të premten edhe në Sarandë.

Një numër i madh objektesh u sekuestrua edhe të enjten, ku ra në sy bllokimi i afro 50 motoskafesh e gomonesh si dhe tre punishtesh të prodhimit dhe riparimit të tyre në Durrës dhe Vlorë.

Po kështu u bllokuan në Tiranë, Lezhë, Vlorë, Durrës e Fier mbi 20 hotele, restorante e bare si dhe 11 apartamente dhe vila në pronësi të personave të akuzuar për trafiqe.

Operacioni i ndërmarrë nga policia përfaqëson goditjen më të ashpër dhe më masive të kryer ndonjëherë ndaj krimit.

Aktualisht, po sekuestrohen pronat e personave që kanë procese të hapura gjyqësore nën akuzat e trafikut të qenieve njerëzore dhe drogës.

Ajo që mbetet ende në pikëpyetje është reagimi i gjykatave ndaj masave të aplikuara nga policia. Eksperiencat e deritanishme kanë qenë mjaft të hidhura pasi pothuajse në të gjitha rastet objektet e e sekuestruara u janë kthyer pronarëve. Kjo edhe për shkak të hapësirave të ligjit, i cili detyron prokurorinë të provojë se pasuria është vënë me të ardhurat e trafiqeve.

Kjo situatë mund të përmbyset vetëm me miratimin e ligjit antimafie të premtuar nga qeveria, i cili parashikon që duhet të jetë i akuzuari që të japë provat se pasuritë e tij janë vënë në mënyrë të rregullt ligjore.//kk//

XS
SM
MD
LG