Lidhje

Çfarë i shqetëson amerikanët në prag të zgjedhjeve presidenciale? - 2004-01-16


Zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti janë të parat pas sulmeve terroriste të 11 shatorit 2001 dhe të parat që zhvillohen në një kohë kur trupat amerikane janë të angazhuara ushtarakisht në një vend tjetër, duke përjashtuar periudhën e luftës në Vietnam. Por amerikanët thonë se shqetësimi i tyre kryesor është siguria ekonomike dhe jo ajo kombëtare.

Chris Peliteri, pronar i një restoranti nga Kalifornia, thotë se vizita në objektet historike të Washingtonit i sjell atij ndërmend 11 shtatorin. Ai thotë se imazhet e asaj dite janë ngulitur përgjithmonë në mendjen e tij. Në pamje të parë duket sikur për zotit Peliteri, shqetësimi kryesor në prag të zgjedhjeve presidenciale do të jetë siguria kombëtare. Por, nuk është ashtu:

“Pa dyshim që është ekonomia. Unë kam biznesin tim prandaj mendoj vazhdimisht për ekonominë. Së pari mendoj për xhepin tim”, thotë zoti Peliteri.

Edhe studentja Lisa Baines, nga qyteti Feniks i shtetit Arizona thotë se shqetësimi i saj kryesor është nëse do të gjejë dot punë kur të mbarojë shkollën:

“Nuk shqetësohem aq shumë për mbrojtjen. Unë mendoj më shumë për ekonominë. Dy shokë të mi harxhuan 7 muaj për të kërkuar punë pas studimeve, por pa rezultat”, thotë Baines.

Analisti i njohur amerikan i sondazheve, John Zogby, thotë se Chris Peliteri dhe Lisa Baines nuk janë të vetmit që mendojnë kështu:

“Rreth dy të tretat e votuesve thonë se çështja kryesore është ekonomia”, thotë Zogby.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë që amerikanët nuk shqetësohen më për luftën kundër terrorizmit. Por, ai thotë se tmerret e 11 shtatorit kanë filluar të fashiten. Amerikanët, e kanë pranuar se vendi i tyre është në rrezik dhe kjo i bën ata ta përqendrojnë vemendjen tek gjëra të tjera.

Chris Peliteri mishëron pikërisht këtë qendrim. Pronari i restorantit e kupton se Shtetet e Bashkuara mund të sulmohen në çdo kohë. Megjithatë, ai thotë se i duhet të përqendrohet tek biznesi i tij. Zoti Peliteri thotë se ai nuk mund të mbrojë gjithë vendin dhe se mund të kujdeset vetëm për veten e tij.

Por jo të gjithë amerikanët mendojnë kështu. Kate Shaw nga Dakota e Veriut thotë se para 11 shtatorit rrallë mendonte për sigurinë kombëtare. Tani, ajo thotë se siguria kombëtare nuk është më pak e rëndësishme për të sesa mirëqenia ekonomike:

“Siguria dhe ekonomia, këto janë dy çështjet që më shqetësojnë më shumë. Nuk mund të them se njëra është më e rëndësishme se tjetra”, thotë zonja Shaw.

Disa analistë thonë se që nga shfaqja e terrorizmit global, siguria kombëtare dhe ekonomia janë më të lidhura me njëra-tjetra se asnjë herë më parë.

Eksperti pranë Institutit Cato në Washington, John Samples, thotë se mjafton t’i hidhet një vështrim anulimit kohët e fundit të disa fluturimeve ndërkombëtare për të kuptuar ndikimin që mund të ketë thjesht edhe dyshimi për rrezikun terrorist.

“Akte të vogla terroriste mund të sjellin pasoja të rënda ekonomike. Edhe përpjekjet për parandalimin e tyre kanë thuajse të njëjtin efekt, siç ndodhi gjatë periudhës së Krishtlindjeve. Ne pamë pasojat e rënda ekonomike vetëm nga kërcënimi terrorist dhe përpjekjet për të përballuar atë. Anulimi i fluturimeve ndikon mbi dëshirën e njerëzve për të udhëtuar”, thekson zoti Samples.

Një sulm tjetër katastrofik terrorist, thotë zoti Samples, do të rriste në kulm zemërimin dhe ndjenjën e pasigurisë në radhët e votuesve amerikanë, duke i kaluar në plan të dytë shqetësimet e tyre të përditëshme rreth vendeve të punës apo tregut të aksioneve. Zoti Samples vë gjithashtu në dukje se amerikanët bashkohen rreth presidentit të tyre gjatë krizave kombëtare dhe një sulm terrorist, shton ai, do ta forconte mbështetjen për Presidentin Bush. //kk//

XS
SM
MD
LG