Lidhje

Lufta për pushtet dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për investimet në Shqipëri - 2004-01-16


Nënpresidenti i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane për Tregtinë dhe Zhvillimin, Tom England, thotë se lufta për pushtet dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për investimet e Shteteve të Bashkuara dhe të vendve të tjera perëndimore në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti England, firma juaj është marrë me projekte të ndryshme në Shqipëri që në fillim të viteve 90-të. Mund të na jepni një vështrim të përgjithshëm të këtyre projekteve? Tom England: Siç e përmendët edhe juve unë fillova punën në Shqipëri në fillim të viteve 90-të. Një grup miqsh të mi shqiptaro-amerikanë donin të ndërmerrnin një mision tregtar në Shqipëri dhe nga ai misin ne krijuam Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Zhvillimit Tregtar. Ndërsa firma ime, një firmë e vogël kontraktuese e lidhur me Agjencinë për Zhvillimin Ndërkombëtar, ka punuar në Shqipëri për vite me radhë për zhvillimin e qeverisë lokale. Po ashtu, ne kemi kryer sondazhe të ndryshme në shkallë kombëtare në Shqipëri për Shoqatën e Zhvillimit Bujqësor. Ne jemi angazhuar në zhvillimin e sektorit shtetëror në Shqipëri, veçanërisht në nivelin e qeverisjes lokale, si dhe në sektorin privat për të ndërtuar një ekonomi të tregut të lirë dhe për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit privat. Zëri i Amerikës: Zoti England, kohët e fundit ju fituat një tender të ri një vjeçar për projekte të ndryshme në Koridorin 8, që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe vende të tjera të këtij rajoni. Çfarë parashikoni të realizoni nëpërmjet këtij programi një vjeçar? Tom England: Shoqata Shqiptaro-amerikane për Tregtinë dhe Zhvillimin, ka punuar gjatë 4 vjetëve të fundit me organizata lokale në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari dhe Kosovë për një program bashkëpunimi për zhvillimin e Koridorit 8 për transportin, duke krijuar një infrastrukturë rrugore që lidh vendet e Adriatikut me ato të Detit të Zi. Kjo infrastrukturë i shërben sëtepërmi zhvillimit të Shqipërisë në shumë drejtime, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe krijon mundësi të shumta për një rrjet naftësjellësi dhe gazi, për trasportin e naftës nga Azerbajxhani në lindje në portet e Adriatikut në perëndim. Synimi ynë është që të punojmë me qeveritë e rajonit për ta shfrytëzuar në mënyrë produktive këtë koridor. Gjatë periudhës së ardhshme një vjeçare ne do të punojmë për të ruajtur interesin dhe për shtuar fondet nga agjencitë dhuruese ndërkombëtarë për avancimin e këtij Koridori, si dhe do të vazhdojmë zhvillimin e programeve për integrimin e mëtejshëm të rajonit. Po ashtu ne do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin ekonomik rajonal, si një mënyrë efektive që sektorët shtetërorë dhe privatë të shfrytëzojnë mundësitë e mëdha që krijon ky koridor për të kontribuar në itegrimin e rajonit. Zëri i Amerikës: Zoti England, qeverinë shqiptare për vite me radhë e kanë karakterizuar grindjet e brendëshme. Si ndikon kjo klimë politike në punën tuaj? Tom England: Është e vërtetë që ka patur mjaft luhatje, një luftë politike, por kjo nuk është një karakteristikë e veçantë për Shqipërinë apo për vendet e tjera të Ballkanit. Ky është një fenomen i pranishëm edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Siç thoshte një profesori im i vjetër, demokracia është një sistem joefektiv, joeficient dhe i vështirë kaotik qeverisës, por është shumë më i mirë se çdo sistem tjetër. Për mendimin tim Shqipëria po kalon një periudhë tranzicioni drejt një sistemi më efektiv, me rregulla më të mira. Me pak fjalë, duket se ajo po ecën në drejtimin e duhur. Por nga ana tjetër është e padiskutueshme se këto luhatje kanë ndikim negativ në zhvillimin e biznesit. Kur një qeveri është e paparashikueshme, ndikimi negativ ndihet tek investimet, pasi investitorët hezitojnë kur nuk e dinë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Por kur gjendja është më e qetë, ajo ndikon mjaft pozitivisht për biznesin

Zëri i Amerikës: Shqipëria është një vend ku korrupsioni ka përmasa të gjera. Si ndikon ky fenomen në punën tuaj?

Tom England: Natyrisht korrupsioni është pengesë për investimet e huaja, sidomos për ato të Shteteve të Bashkuara. Ligjet amerikane ndalojnë marrjen e ryshfetit për të fituar tenderat. Është me shumë rëndësi që ky fenomen të mbahen nën kontroll në Shqipëri. Ambasadori ynë në Tiranë, James Jeffery, e ka bërë këtë një nga përparësitë e tij kryesore. Kjo gjendje duhet të përmirësohet, me qëllim që disa vende, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore të investojnë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti England, ju falemnderit.

Tom England: Ju falemnderit që më ftuat.

XS
SM
MD
LG