Lidhje

"Washingtoni vazhdon të jenë i vendosur për t’ia kaluar pushtetin irakianëve" - 2004-01-17


Administratori i lartë amerikan në Irak, Paul Bremer, tha se presidenti Bush dhe ai vazhdojnë të jenë të vendosur për t’ia kaluar pushtetin irakianeve. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen planit për t’ia kthyer popullit irakian sovranitetin e vendit të tyre deri më 1 korrik, megjithë opozitën e klerikut të lartë shiitë të Irakut lidhur me mënyrën se si do të arrihet një gjë e tillë.

Ambasadori Bremer u thirr përsëri në Washington ndërkohë që administrata e presidentit Bush rishikon edhe një herë planet e saj për kalimin e pushtetit një qeverie sovrane irakiane.

Një proces të tillë e kundërshton udhëheqësi i lartë shiitë i Irakut, Ali al-Sistani, i cili kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të drejtë për drejta në vend të takimeve rajonale, ashtu siç parapëlqen administrata e presidentit Bush.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në një mënyrë transparente dhe përfaqësuese. Ne kemi dyshimet tona ashtu siç ka dyshime edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara se zgjedhjet në fakt mund të mbahen brënda afatit kohor të kthimit të sovranitetit popullit irakian më 30 qershor.”

Zoti Bremer tha se pushtimi amerikan i Irakut nuk do ta kalojë atë datë, por Washingtoni është i gatshëm të shqyrtojë ndryshime të plave të tij për t’ia kaluar përsëri pushtetin irakianëve. Administratori i lartë amerikan për Irakun do të shkojë të hënën në New York për të kërkuar ndihmën e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, për të bindur shiitët e Irakut që të mbështesin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Kombet e Bashkuara kundërshtuan luftën në Irak dhe pasi tërhoqën personelin nga Bagdadi si rezultat i një sulmi terrorist vitin e kaluar, tani nuk luajnë asnjë rol në përpjekjet e rindërtimit të atij vendi.

//ze//

XS
SM
MD
LG