Lidhje

Ministrja franceze e mbrojtjes bëri thirrje për riparimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara - 2004-01-17


Ministrja franceze e mbrojtjes, Michele Alliot-Marie, bëri thirrje për riparimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pasi u acaruan vitin e kaluar si rezultat i luftës në Irak. Megjithatë, ajo shtoi se Franca nuk do të dërgojë trupa në atë vend.

Gjatë një fjalimi që mbajti dje në Washington, ajo tha se Franca mund të ndihmojë në stërvitjen e policisë dhe ushtarëve irakianë, të nevojshëm për të krijuar një qeveri sovrane dhe të qëndrueshme.

Ndërkaq, lajmet bëjnë të ditur se Shtëpia e Bardhë mund të ndryshojë së shpejti politikën e saj dhe të lejojë firmat franceze të konkurojnë në projekte të mëdha rindërtimi në Irak, me vlerë prej më shumë se 18 miliardë dollarësh.

Megjithatë, ministrja franceze Alliot-Marie tha se Franca do të ndihmonte në rindërtimin e Irakut vetëm pasi ky vend të ketë një qeveri të ligjshme që kërkon një ndihmë të tillë.

Ndërkohë, ushtria amerikane i dha një kontratë të madhe për të riparuar puset e naftës në Irakun jugor të njëjtës kompani rreth së cilës kanë filluar hetimet lidhur me akuzat se kishte kërkuar më shumë para për shpërndarjen e naftës në Irak.

Dje, filiali i kompanisë Halliburton, K-B-R, fitoi këtë kontratë me vlerë prej 1,2 miliardë dollarësh. Kontratat e fituara nga kompania Halliburton në Irak janë shoqëruar me debate të shumta sepse nën presidenti Dick Cheney ishte udhëheqës i saj para se të bëhej anëtar i administratës së presidentit Bush.

Dje ligjvënësit thanë se Pentagoni kishte filluar hetimet rreth akuzave se si pjesë e një kontrate të mëparshme, kjo kompani i kishte kërkuar qeverisë amerikane 61 milionë dollarë më shumë për naftën, që kishte blerë në Kuvajt dhe që e transportoi në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG