Lidhje

Parlamenti shqiptar vazhdon seancën e jashtëzakonshme për tragjedinë në detin Jon - 2004-01-17


Parlamenti shqiptar u mblodh sërish të shtunën për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme për të diskutuar mbi tragjedinë e 9 Janarit dhe për të votuar për një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano të paraqitur nga opozita.

Deri në mbrëmje vazhdonin diskutimet e deputetëve dhe nuk pritej që seanca të mbaronte para orëve të para të mëngjesit të së dielës.

Seanca ishte ndërprerë për dy ditë me radhë për shkak të mungesës së kryeministrit, cili ishte për një vizitë në Mal të Zi, gjë që e acaroi edhe më tepër opozitën.

Diskutimet e deputetëve të shumicës u përqëndruan në përgjithësi në marrjen e masave të rrepta kundër krimit dhe në shpalosjen e sukseseve të qeverisë në këtë drejtim.

Në kontrast, deputetët e opozitës fajësuan Kryeministrin Nano dhe qeverinë për tragjedinë, duke thënë se politikat e këqia ekonomike dhe monopolet e krijuara nuk u krijojnë mundësi shqiptarëve që të gjejnë punë, duke i detyruar ata që të marrin vendime të dëshpëruara si ikja me gomone, që shkaktoi edhe tragjedinë e fundit.

Ndërsa zhvillohej seanca, një grup qytetarësh me qirinj në duar protestonin para parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nano.

Votimi për mocionin e mosbesimit kundër zotit Nano, pritet të bëhet në orët e para të mëngjesit të së dielës, por ai është thjesht formal pasi kryeministri ka mbështetjen e shumicës së nevojshme në parlament për ta hedhur poshtë atë.

Po të shtunën, Presidenti Moisiu thirri në një takim drejtuesit më të lartë të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të diskutuar rreth masave që po merren në luftë kundër krimit të organizuar.

Ai kërkoi bashkërendimin e punës mes këtyre institucioneve, në mënyrë që të luftohet me sukses krimi.

Ndërkaq policia ka kryer sekuestrime të reja të pronave të personave të akuzuar për trafiqe. //kk//

XS
SM
MD
LG