Lidhje

Dy anët e medaljes së politikës së jashtme amerikane - 2004-01-17


Politika e jashtme e Presidentit Bush cilësohet shpesh si luftë midis ekstremistëve dhe të moderuarve. Por, në fakt, sipas një organizate të njohur kërkimore, çdo medalje ka dy anë. Një politike të efektshme i nevojiten të dy elementet.

Strategjia amerikane shkon përtej luftës kundër terrorizmit, shkruan Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell. Terrorizmi mbetet shqetësimi numër një, thotë ai, dhe nganjëherë Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë vetëm.

Por, në shumicën e rasteve ato kërkojnë të bashkëpunojnë me aleatët e tyre, si NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara. Politika e parandalimit si doktrinë strategjike, këmbëngul zoti Powell, është tepër e ekzagjeruar.

Me këtë mund të nënkuptohet një ndryshim rrënjësor nga politika e njëanshme e vijës së ashpër, në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Por Kiron K. Skinner e Institutit Hoover, thotë se të dy elementet kanë qenë pjesë e politikës së jashtme të Presidentit Bush. Kemi të bëjmë me një përpjekje të dyfishtë, e ngjashme me atë të presidentit Reagan gjatë Luftës së Ftohtë, e cila pati sukses atëherë e mund të ketë edhe sot.

Zonja Skinner thotë se ndërsa ushtronte trysni të madhe ndaj sovjetikëve dhe vendoste në mënyrë provokuese raketa në Evropën Perëndimore, Presidenti Regan vazhdonte dhe diplomacinë e heshtur.

Rezultati ishte përmirësimi i ndjeshëm në marrëdhëniet amerikano- sovjetike në vitin 1984, që çoi në përfundimin e Luftës së Ftohtë. Ajo mendon se 2003-shi ishte një vit edhe më i mirë.

“Ne po shohim disa frute të diplomacisë së heshtur: kapja e Sadam Husseinit, vendimi i Muamar Kadafit për t’i dhënë fund programit të armëve jokonvencionale. Ne nuk mund të themi se Shtetet e Bashkuara janë faktori i vetëm që çoi në ndrysimin e qendrimit të Koresë së Veriut, megjithëse nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Por këmbëngulja e presidentit Bush për zhvillimin e bisedimeve shumëpalëshe rreth krizës me Korenë e Veriut, ishte një taktikë e re e adminsitratës. Diplomacia e heshtur është kurdoherë pjesë e arsenalit të luftës”, thotë studiuesja.

Sekretari Powell tha se ishte inkurajuar nga oferta pozitive e Koresë së Veriut për pezullimin e programit të saj bërthamore në shkëmbim të përparimit në bisedimeve shumëpalëshe.

Presidenti Regan kishte një plan të qartë, edhe pse ndoshta kontradiktor, për konfrontimin me Bashkimin Sovjetik. Ai e zbatoi atë dhe pati sukses. Shumë analistë thonë se Presidenti Bush nuk ka një plan të tillë dhe theksojnë se hapja e Iranit, Libisë e ndoshta edhe të Koresë së Veriut është rrjedhim i faktorëve të tjerë, ndoshta thjeshtë i fatit.

Por, Joseph Nye, i Fakultetit Kenedi pranë Universitetit Harvard, thotë se për këto zhvillime ka merita edhe presidenti Bush. Ai thotë se Kadafi e pa se çfarë ndodhi me Sadam Huseinin në Irak

Kalimin drejt një politike më të moderuar, disa analistë e kanë cilësuar si fitore të sekretarit Powell ndaj të ashtuquajturve elementë neo-konservatorë, të cilët kanë mbështetur veprimet ushtarake jo vetëm kundër Irakut, por edhe kundër disa vendeve të tjera, që ata i shikojnë si kërcënim për rajonin.

Por profesoresha Skinner thotë se mjetet e informimit i kushtojnë vëmendje të tepruar dallimeve në radhët e një administrate. Sipas saj, Presidenti Bush ka mbajtur qëndrim të ekuilibuar dhe e kupton që forca është pjesë e strategjisë për arritjen një objektivi të caktuar.

Një tjetër specialist i politikës së jashtme, Senatori Chuck Hagel, thotë se Amerika gëzon më nderin që kishte dikur në botë. Kjo, thekson Senatori nuk është faji i askujt, por ndoshta vetëm i kalimit të kohës.

“Sot është një numër shumë i vogël njerëzish që mbajnë mend se çfarë kanë bërë Shtetet e Bashkuara për botën. Vertëdija historike dhe prëvpja personale e brezitr të ri nuk është e njëjtë me të atyre që jetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Brezi i ri nuk e di se ç’ do të thoshte Amerika për botën, sesi ajo ndihmoi për rindërtimin e botës”, thotë zoti Hagel.

Në një Intervistë me Zërin e Amerikës, Senatori Hagel tha se, të gabuara apo të drejta, disa nga vendimet e adminsitratës së Presidentit Bush për të vepruar në mënyrë të njëanshme kanë armiqësuar vende të tjera, përfshirë vende mike. Ato, thotë Senatori Hagel, nuk janë anti-amerikane, por kundërshtojnë disa prej politikave të saj. Por edhe ky problem, thekson ai, ka filluar të kapërcehet.

Profesorja Skinner thekson se pikërisht kjo është arsyeja e zbatimit aktual të një politike të dyfishtë amerikane.//kk//

XS
SM
MD
LG