Lidhje

Martin Luter Kingu, i Riu: “Padrejtësia, kudo që të ekzistojë, përbën kërcënim për drejtësinë në mbarë botën” - 2004-01-18


Shtetet e Bashkuara, miqtë dhe aleatët e tyre janë angazhuar në një luftë globale kundër terrorizmit. Siç ka thënë udhëheqësi amerikan i të drejtave civile dhe fituesi i Çmimit Nobel të Paqes, Martin Luter Kingu, i Riu, “Padrejtësia, kudo që të ekzistojë, përbën kërcënim për drejtësinë në mbarë botën”. Për nder të Doktor Kingut, 19 janari është caktuar ditë feste kombëtare në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë shumë mirë vërtetësinë e përhershme të fjalëve të Martin Luter Kingut dhe ne, theksoi ai, ripohojmë angazhimin tonë ndaj parimeve të drejtësisë, barazisë, mundësisë dhe të optimizmit që përqafoi dhe për të cilat u bë shembull Doktor Kingu.

Martin Luter Kingu, prift baptist, ishte një nga përkrahësit më të njohur në botë të ndryshimeve shoqërore pa dhunë. Duke respektuar parimin e veprimtarisë paqësore në lëvizjen për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, Doktor Kingu predikoi barazinë raciale në një kohë kur afrikano-amerikanët ishin ende viktima të ndarjes dhe të diskriminimit. Gjatë viteve 1950 dhe 60, ai udhëtoi nëpër Shteteve të Bashkuara dhe nëpër botë duke mbajtur qindra fjalime, ku predikonte qendresën dhe lëvizjen paqesore.

Mesazhi i tolerancës i Martin Luter Kingut ka sjellë ndryshime të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Njërin nga fjalimet më të famshme ai e mbajti në verë të vitit 1963 gjatë marshimit për në Uashington në mbështetje të kërkesave për liri dhe vende pune: ”Ne duhet ta zhvillojmë veprimtarinë tonë në nivelin e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Ne nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të denigrohen në dhunë fizike. Ne duhet që gjithmonë të ngrihemi në nivelet më të larta të madhështisë së përballimit të dhunës fizike me forcën shpirtërore.”

Martin Luter Kingu nuk i drejtohej pakënaqësisë, por i bënte thirrje arsyes, nuk udhëhiqej nga zemërimi, por ndërgjegja. Në vitin 1968, ai u vra nga një atentator në moshën 39-vjeçare. “Përmes përpjekjeve të heronjve, si Martin Luter Kingu dhe burrat e gratë e guximshme të lëvizjes për të drejtat civile, ka thënë Presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim në luftën kundër racizmit dhe në ndërtimin e një shoqërie që u përmbahet në mënyrë më të plotë idealeve të saj demokratike.” //az//

XS
SM
MD
LG