Lidhje

SHBA: Intensifikohet gara për Shtëpinë e Bardhë - 2004-01-18


Kandidatët demokratë për president i kanë intensifikuar fushatat në Iowa, ku anketat e opinionit publik tregojnë se katër konkuruesit kryesorë gëzojnë mbështetje thuajse të barabartë në këtë shtet.

Sipas sondazhit të ri, Senatori John Kerry udhëheq me rezultat të ngushtë ndaj tre rivalëve kryesorë, Senatorit të Karolinës së Veriut, John Edwards, ish guvernatorit të shtetit Vermont, Howard Dean, dhe anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Richard Gephardt, në garën për t’i bërë sfidë Presidentit Bush.

Ish presidenti demokrat, Jimmy Carter, u takua sot në shtetin Gjeorgjia me zotin Dean dhe e vlerësoi lartë ish guvernatorin e Vermontit. Por, ish presidenti nuk shprehu drejtpërdrejtë mbështetjen për zotin Dean.

Nndërkohë, një anketë e re e opinionit publik tregon se amerikanët mbështesin fuqimisht mënyrën sesi Presidenti Bush po drejton luftën kundër terrorizmit, por shumë prej tyre shprehin dyshime rreth politikave të tij të brendshme dhe atyre ekonomike.

Sipas anketës së zhvilluar me më shumë se 1 mijë familje amerikane nga gazeta New York Times dhe rrjeti televiziv CBS, më pak se 20 për qind thonë se bara e tyre e taksave është lehtësuar nga shkurtimet e kohëve të fundit të taksave. Por, sipas sondazhit, 68 përqind e amerikanëve vlerësojnë lartë punën e Presidentit Bush në aspektin e sigurisë kombëtare.

Dhe 50 përqind e të anketuarve mbështesin veprimtarinë e përgjithshme të Presidentit Bush, thuajse e njëjta mbështetje që presidenti gëzonte para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.//xh//

XS
SM
MD
LG