Lidhje

Kosovë: takim për privatizimin - 2004-01-19


Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, kryeministri Bajram Rexhepi dhe disa ministra të qeverisë së tij, së bashku me drejtuesit e agjensisë kosovare të mirëbesimit, e cila merret me procesin e privatizimit në Kosovë, u takuan në Prishtinë për të diskutuar procesin e privatizimit.

Asnjë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk pranoi të komentojë pas takimit, ndërkohë që kryeministri Bajram Rexhepi, tha se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje.

Kërkesa e qeverisë ishte që në prani të zotit Holkeri të diskutoheshin marrëdhëniet e qeverisë me agjensinë kosovare e mirëbesimit, menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe procesin e privatizimit.

"Ne qëndrojmë pas kërkesave që kemi pasur muaj më parë, janë 6 pika, kemi prezantuar momentet kur janë thyer nga drejtoresha menaxhuese dhe udhëheqësi i shtyllës së 4, kemi diskutuar për parime, por edhe për emra dhe qëndrojmë pas kërkesës, sepse për shumicën e rasteve interpretimi i gabuar apo menaxhimi i keq ka qenë shkaktar i ngecjes së privatizimit dhe raporteve të këqija me agjensinë kosovare të mirëbesimit"., tha kryeministri Rexhepi.

Zoti Rexhepi tha se ka kërkuar që zyrtarët ligjorë të qeverisë, UNMIK-ut dhe agjensisë kosovare të mirëbesimit, të bëjnë interpretimin e drejtë të kërkesave të zyrës ligjore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe rregulloreve në fuqi në Kosovë.

Procesi i privatizimit u bllokua në fund të vitit të kaluar me vendim të autoriteteve ndërkombëtare që kërkuan rishikimin e statusit të ndërmarrjeve që janë pjesë e këtij procesi.

Privatizimi shihet si jetik për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.//ii

XS
SM
MD
LG