Lidhje

Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe sfidat e tij - 2004-01-19


Pas gati 100 ditësh, Bashkimi Evropian do të pranojë 10 anëtarë të rinj, shumica ish vende komuniste. Ngjarja është përshëndetur si një bashkim historik i kontinentit. Por kjo ka shtruar gjithashtu pyetjen sesa larg duhet të shkojë ky zgjerim. Siç njofton nga Brukseli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Roger Wilkison, kjo do të varet në një masë të madhe nga mënyra sesi do t’i përgjigjet Bashkimi Evropian kërkesës së vjetër të Turqisë për anëtarësim.

Zgjerimi sivjet i Bashkimit Evropian do ti shtojë 75 milion banorë të tjerë popullsisë së këtij bllokut, 39 milion vetëm nga Polonia. Vendet e tjera janë Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe Slovenia, tre vendet balltike - Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe ishujt mesdhetarë të Qipros dhe Maltës.

Anëtarët e rinj janë përpjekur të transformojnë ekonomitë e tyre të centralizuar në ekonomi të tregut të lirë brenda një dekade dhe të fusin në kushtetutën e tyre qindra mijëra faqe të regullave dhe ligjeve të BE-së.

Por mbetet ende për tu parë se si do të reformohen institucionet e plasaritura të Bashkimit Evropian për të garantuar se aparatet vendim-marrëse të tij do të funksionojnë për të 25 vendet anëtare dhe nuk do të hasin në pengesa.

Një takim i nivelit të lartë i Bashkimi Evropian në dhjetor që synonte miratimin e një kushtetute nuk arriti të pajtonte mosmarrëveshjet lidhur me fuqinë që duhet të ketë vota e vendeve të ndryshme dhe nuk pritet që për këtë çështje të arrihet ndonjë ujdi së shpejti.

Tani bashkimi duhet të fillojë të përgatitet t’i japë përgjigje pyetjes se çdo të bëjë me Turqinë e cila ka kërkuar anëtarësim qysh para 40 vjetësh dhe tani kërkon të dijë datën për fillimin e negociatave të asociimit.Ky vendim ka të ngjarë të jetë po aq i debatueshëm sa edhe kushtetuta.

Bashkimi Evropian e ka patur me mëdyshje kandidaturën e Turqisë për vite. Konservatorët në vende si Franca, Gjermania dhe Italia janë të shqetësuar rreth anëtarësimit të një shteti mysliman në bashkim. Por shumë evropianë janë të shqetësuar edhe nga madhësia e Turqisë si shtet. Në kohën që pritet të pranohet, Turqia do të ishte shteti me popullsi më të madhe në Bashkimin Evropian dhe prandaj do të kishte më shumë fuqi vote sesa çdo vend tjetër anëtar.

Komisioni evropian e ka bërë të qartë se cilido të jetë fati i kandidaturës së Turqisë, ribashkimi i Evropës nuk do të mund të quhet i përfunduar pa hyrë në Bashkimin Evropian edhe vendet e Ballkanit. Por vendet e Mesdheut lindor dhe jugor janë të përjashtuara si për arsye gjeografike ashtu edhe përsa u përket standarteve të rrepta të Bashkimit Evropian për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Analisti Jerome Sheridan, profesor i Univestitetit Amerikan në Bruksel thotë se aspirata e vendeve të tjera bllokut për tu anëtarësuar ka këtë shpjegim:

“Evropa është një mentalitet, një mënyrë të menduari. Ajo është një mënyrë për të zhvilluar marrëdhëniet ndërkombëtare. Kur hyn në Bashkimin Evropian merr statusin e një vendi perendimor. Kështu që Evropa mund të vazhdojë të zgjerohet drejt lindjes, me kusht që vendet e reja të kenë pamjen e atyre që janë anëtare të Bashkimit në kuptimin e kulturës së tyre politike. Ky është një proces jashtëzakonisht i gjatë.”

Nëse profesori ka të drejtë, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të zgjerohet nëqoftëse ai ka vullnetin politik për këtë dhe përsa kohë që vendet të cilat duan të hyjnë aty sillen si anëtarët e tanishëm të Bashkimit.

XS
SM
MD
LG