Lidhje

UNMIK: Parlamenti nuk mund të ndryshojë kornizën kushtetuese - 2004-01-20


Misioni i Kombeve të Bashkuara, kundërshtoi sot zyrtarisht nismën e Parlamentit të Kosovës, për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, gjë që do të mundësonte kalimin e të gjitha përgjegjësive thelbësore nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore.

Qëndrimi i Misionit u bë i ditur në një debat publik të organizuar nga grupi punues i Parlamentit për ndryshime të Kornizës Kushtetuese ku përfaqësuesi i zyrës ligjore të UNMKIK-ut, Alexander Borg Olivier, tha se Parlamenti i Kosovës nuk mund të bëjë ndryshime të tilla.

Ai tha se ky qëndrim është shprehur edhe në një letër, që shefi i tij, Harri Holkeri, i ka dërguar kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci. Zoti Olivier tha se “nuk është e përshtatshme që në këtë kohë të ketë diskutime të tilla në Parlamentin e Kosovës dhe se diskutimi i ndryshimeve të tilla në këtë periudhë, do të ishte veprim i pamatur. Çdo ndryshim kërkon miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nisma për ndryshime është në tërësi jashtë përgjegjësive të Parlamentit”, theksoi zoti Olivier.

Por, përfaqësuesit e institucioneve vendore pohojnë se ndryshime të tilla janë të rëndësishme edhe për përmbylljen e sukseshme të vetë misionit të Kombeve të Bashkuara.

Arsim Bajrami, shef i grupit punues për ndryshimin e Kornizës, tha se kjo nismë është shumë e rëndësishme për zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Kur Kosova po përgatitet për ciklin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, mendoj se është plotësisht logjike që institucionet e Kosovës, kërkojnë më tepër kompetenca. Ndoshta për ta ndihmuar edhe vetë UNMIK-un për të ecur më përpara në zbatimin e mandatit të tij. Me këtë nuk po tentojmë të sfidojmë UNMIK-un, përkundrazi, ne po i japim një ofertë shumë konstruktive që institucionet e Kosovës së bashku me UNMIK-un të realizojmë atë që është qëllim i përbashkët: ta shpiejmë Kosovën deri aty ku do të hapet çështja e implementimit të statusit final”, tha zoti Bajrami.

Korniza Kushtetuese e Kosovës është miratuar në maj të vitit 2001 dhe që atëherë ishte objekt i debateve ndërmjet administratës ndërkombëtare e cila këmbëngul se Korniza do të mbetet e tillë deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe institucioneve vendore, që pohojnë se ajo tashmë është e tejkaluar dhe si e tillë është shndërruar në pengesë të procesit politik në Kosovë.//ii

XS
SM
MD
LG