Lidhje

Tragjedia nxori në pah imazhin e gabuar për luftën kundër trafikut në Shqipëri - 2004-01-20


Ndërkohë që në Shqipëri vazhdojnë kërkimet për tetë personat e humbur në tragjedinë e 9 janarit, Kryeministri Fatos Nano ka shkuar në Bruksel, për të biseduar me zyrtarët evropianë rreth ecurisë së Shqipërisë drejt plotësimit të kërkesave të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, por edhe për të raportuar lidhur me tragjedinë e Karaburunit. Bisedimet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian filluan para 1 viti. Per të plotësuar kushtet e pranimit, qeveria shqiptare eshte zotuar mes të tjerash të luftojë krimin e organizuar, trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore dhe korrupsionin. Por sa janë përmbushur këto premtime? Për të diskutuar për këto probleme, Zëri i Amerikës ftoi për një bisedë telefonike juristin Kreshnik Spahiu, Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe me ekonomistin, Gjergj Buxhuku, Drejtor i Insitutit për Politikat Publike Efektive.

Zëri i amerikës: Zoti Spahiu, tragjedia e Karaburunit tregoi se masat për luftën kundër trafiqeve për të cilat u zotua qeveria vitin e kaluar, nuk kanë qenë të efektshme. Është thënë gjithashtu se zyrtarët i kanë nënvlerësuar përmasat e vërteta të krimit. Sa i vetëdijshëm është opinioni në Shqipëria për përmasat e vërteta dhe dëmin që i shkaktohet imazhit të vendit nga ky fenomen?

Kreshnik Spahiu: Tragjedia e 9 janarit nxori në pah atë imazh të gabuar që shpeshherë ka krijuar pushteti në Shqipëri lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, apo trafiqeve. Në se 9 janari nuk do të kishte ndodhur, Shqipëria ende do të vazhdohej të tregohej si një vend që i ka bllokuar gjithmonë trafiqet. Nga ana tjetër, reagimi i qeverisë ka qenë i papranueshëm në lidhje me operacione të tipit fasadë, që është edhe operacioni i fundit, i ashtuquajtur ”rrjeta e hekurt” që me sa duket, është një rrjetë, në të cilën janë peshkuar vetëm sardele të vogla, duke lënë jashtë peshkaqenë të mëdhenj; me këtë kuptojmë lidhjet e pushtetit me krimin, pra të atyre zyrtarëve të lartë, të cilët mbështesin hapur, ose fshehurazi, krimin e organizuar dhe trafiqet. Siç dihet, nga tragjedia e 9 janarit u duk qartë dhe u provua që skafistët apo rrjetet e trafikut kishin lidhje të drejtpërdrejta, me punonjës, apo me oficerë të lartë të policisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhuku, ekonomistët kanë vënë disa herë në dukje se aktivitetet kriminale zënë një vend jo të vogël në ekonominë shqiptare, ose që e ashtuquajtura ekonomi informale mbizotëron në vend. Në kushte të tilla, sa e përgatitur është Shqiperia për anëtarësim në institucionet euro-atlantike?

Gjergj Buxhuku: Natyrisht, ekonomia, ta quajmë ekonomia kriminale dhe jo informale, se kjo e fundit ka një kuptim pak më të gjerë, ze një vend të rëndësishëm në të ardhurat kombëtare të Shqipërisë, bile do të thoja shumë të rëndësishëm. Pikërisht në këtë drejtim, unë do të thoja që tragjedia re fundit, me keqardhje, nuk është se prishi imazhin e Shqipërisë. Në të vërtetë, ajo tregoi se cila është Shqipëria në brendësinë e vet dhe pikërisht kjo është për t’u marrë në shqyrtim dhe për t’u analizuar më thellë. Problemi është, se ekonomia shqiptare, edhe 13 - 14 vjet pas hapjes demokratike, nuk ka mundur dot që të gjenerojë nga brenda të ardhurat e saj financiare, por gjithmonë mbështetet, ose në të ardhurat nga emigracioni, pra në eksportin vetëm të fuqisë punëtore, ose në ndihmat e botës, ose në ekonominë kriminale. Pikërisht këtu duhen gjetur edhe shkaqet e vërteta të tragjedisë, e cila në të vërtetë, ishte një pasojë dhe jo një shkak. Shkaku është tjetërkund, pra atje ku e thamë. Ne nuk mundemi dot, jo vetëm që të gjenerojmë të ardhura financiare por nuk kemi mundur as të ndalojmë fluksin e pandalshëm të parave shqiptare jashtë vendit. E pikërisht kjo, është një e keqe e madhe, që në fund të fundit, kërkon zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu në raportin e Europolit për vitin 2003 thuhet se grupet e krimit të organizuar nga Shqiperia që veprojne në Evropë po forcohen. Analistë të tjerë kanë ngritur shqetësimin se krimi i organizuar edhe në Shqipëri është forcuar së tepërmi dhe mund të ketë arritur pikën ku mund të kontrollojë politikën. Cili është mendimi juaj?

Kreshnik Spahiu: Ka raporte kontradiktore në lidhje me informacionet, që në fund të fundit, shpeshherë kundërshtohen nga politika, apo nga pushteti në Shqipëri dhe kjo vjen si pasojë, sepse burimet kryesore të informacionit, janë në raporte ndërkombëtare, gjë e cila duhet të ishte detyrë e autoriteteve shtetërore shqiptare, apo e strukturave qoftë jo qeveritare në Shqipëri. Në këtë kontekst, diçka është e sigurtë, që Shqipëria kryesisht e ka eksportuar krimin, trafiqet drejt perëndimit dhe shumica e subjekteve të krimit kryejnë aktivitetet e tyre kriminale në perëndim, duke mos u ndjerë kështu rrjeti kriminal, grupet e organizuara, apo famijlet mafioze në Shqipëri. Kjo për faktin se, ndërsa aktivitetin e tyre të trafikut të drogës, apo të qenieve njerëzore ata e kryejnë në Perëndim, në Shqipëri ata rikthehen, duke e parë si një vend të qetë, për të pastruar paratë e tyre dhe për të hapur biznes, pra shumë nga aktivitetet tregëtare, shumë nga bizneset që sot janë të përmasave të mëdha në Shqipëri, kanë burime financiare të pista, ato rrjedhin nga operacione kriminale dhe nga aktivitete të trafikantëve, dhe në dukje të parë të duket sikur ato janë biznese të rregullta. Kjo ka një pasojë shumë të rëndë për ekonominë, pasi kjo pjesë shumë e inkriminuar e biznesit, apo e shoqërisë shqiptare, po mundte të infiltrojë në pjesë të rëndësishme, qoftë të medias, qoftë të politikës, qoftë të institucioneve, qoftë të të gjithë organizmave të rëndësishme në vend, duke kontrolluar në një farë mënyre dhe duke e vënë Shqipërinë dhe vetë zhvillimet ekonomike në një sistem piramidal, disi të ndryshëm nga ai i skemave piramidale të 7-8 vjetëve më parë; por kostoja e pastrimit të parave, pra e qarkullimit të parasë së zezë në Shqipëri, do të ndjehet disi më vonë në Shqipëri, por ajo do të jetë shumë më e lartë se ajo e firmave piramidale të shtatë vjetëve më parë.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhuku, duket se krimi i organizuar dhe konkretisht trafikimi me qeniet njerëzore trajtohet si një fenomen i shkëputur, pas i lidhur me faktorët ekonomikë që e shkaktojnë atë. Sa seriozisht e ka marrë qeveria shqiptare luftën kundër krimit të organizuar këtë herë?

Gjergj Buxhuku: Unë desha të theksoj edhe një herë tjetër, që ne duhet të kuptojmë se cilat janë shkaqet, pastaj duhet të analizojmë pasojat. Ju do ta kuptoni se shqiptarët nuk janë as më të mirë dhe as më të këqinj se popujt e tjerë të botës. Imagjinoni se ç’mund të ndodhte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qoftë se papunësia do të kapte nivelet e 30 për qindshit. Pra,(në Shqipëri)llogariten 600-700 mijë të papunë. Llogariten 50 mijë forca të afta pune, të cilat çdo vit kërkojnë punë dhe mos harroni, se ne nuk po mundemi dot të punësojmë njerëzit edhe në kushtet kur 1 milionë shqiptarë janë jashtë vendit. Pra, ende Shqipëria, në kushtet aktuale të ekonomisë, nuk ka mundur dot të gjejë pikën e saj të stabilitetit. Së dyti, është varfëria absolute në Shqipëri. Të mos harrojmë se varfëria absolute në Shqipëri ka edhe dy elementë të tjerë, të cilët janë shumë të rëndë. Kemi varfëri absolute në tërësi të tërë dhqiptarëve, kemi edhe varfëri relative brenda kësaj varfërie absolute, që do të thotë, që rajone të ndryshme të Shqipërisë, janë mjaft më të varfëra se sa rajonet e tjera të Shqipërisë Dhe tjetra, që është një fenomen shumë shqetësues, është që edhe këto para që futen në Shqipëri dhe qëndrojnë këtu, ato ndahen në mënyrë shumë të keqe: kemi një shtresë shumë të vogël njerëzish mjaft pasur dhe një masë mjaft të madhe njerëzish shumë të varfër. Duke i renditur dhe bashkangjitur të gjitha këto shkaqe, do të kuptojmë që e keqja qëndron tek ekonomia, dhe jo tek trafiku, i cili do të gjenerojë se s’bën, sepse njerëzit duan të jetojnë.

XS
SM
MD
LG