Lidhje

John Kerry - fituesi i provës së parë madhore për zgjedhjen e kandidatit demokrat - 2004-01-20


Senatori i shtetit Masaçusets, John Kerry ishte fituesi në provën e parë madhore për zgjedhjen e kandidatit presidencial të Partisë Demokrate. Senatori Kerry u radhit i pari në shtetin Iowa me 38 përqind të votave, i ndjekur nga senatori i Karolinës së Veriut John Edwards me 32 përqind.

Demokratët e Iowas nuk u ndalën nga të ftohtët për ti dhënë senatorit Kerry vendin e parë në fushatën elektorale 2004, në votimin e parë për kandidatin demokrat presidencial.

Anketat pas votimit treguan se shumë demokratë vendosën ditët e fundit për kandidatin e tyre duke sjellë si surprizë fitoren e senatorit Kerry ndaj rivalëve të tij.

Gjatë një fjalimi përpara përkrahësve të tij pas fitores, senatori Kerry iu drejtua njeriut me të cilin kërkon të ndeshet në zgjedhjet e nëntorit, presidentit Bush.

”Në se George Bush kërkon ta bëjë sigurimin kombëtar çështjen themelore të fushatës së tij, kam tre fjalë për të që ne e dimë se ai i kupton. Le ta provojë, le ta provojë!”

Fituesi tjetër i rëndësishëm në votimin në Iowa ishte senatori i Karolinës së Veriut John Edwards. Ai tha se kishte përfituar nga mbështetja që siguroi në momentet e fundit - diçka që shpreson të përsëritet në votimet e ardhëshme paraprake.

”Populli i Iowas konfirmoi sot se beson në një vizion pozitiv dhe frymëzues për të ndryshuar Amerikën,” tha senatori Edwards.

Në vendin e tretë u radhit ish guvernatori i Vermontit Howard Dean. Kjo ishte e papritur për kandidatin që është parë muajt e fundit si fituesi më i mundshëm në zgjedhjet e partisë demokrate.

Zoti Dean u bëri thirrje përkrahësve të tij gjatë një mitingu në Des Moines.

”Ne nuk do të dorëzohemi në Karolinën e Jugut. Nuk do të tërhiqemi në Arizona, apo në New Mexico, Oklahoma, North Dakota, Delaware, Pennsylvania, Ohio, Michigan. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Ne duam të na kthehet vendi ynë për ne, amerikanët e thjeshtë,” tha zoti Dean.

Zhgënjimin më i madh e pësoi ligjvënësi nga Mizuri Richard Ghephardt i cili u rradhit i katërti, ndryshe nga rezultati i tij kur ishte kandidat për president në vitin 1988.

Zoti Gephardt sinjalizoi se do ti japë fund fushatës së tij presidenciale.

”Fushata ime për të luftuar për njerëzit e punës mund të përfundojë sonte, por lufta jonë nuk do të mbarojë asnjëherë. Ne do ta marrim Shtëpinë e Bardhë këtë vit,” tha zoti Gephardt.

Beteja për zgjedhjen e kandidatit demokrat kalon tani në New Hampshire, ku do të votohet më 27 janar.

Howard Dean ka bërë një fushatë të suksesshme në New Hampshire. Por gjenerali në pension Wesley Clark i cili nuk mori pjesë në votimin në Iowa, po kandidon po aq fuqishëm në Hew Hampshire. Senatori i shtetit Kënektikat, Joseph Lieberman gjithashtu shpreson të dalë fitues në këtë shtet, pasi edhe ai nuk mori pjesë në Iowa.

Fitorja në Iowa mund të bëjë që senatori Kery të fitojë përsëri në New Hampshire. Ai nuk ka dalë mirë në anketat e organizuara atje, por është i mirënjohur pasi është nga shteti fqinj Masaçusets.

XS
SM
MD
LG