Lidhje

NATO-ja dhe marrëdhëniet civilo-ushtarake - 2004-01-20


Që prej fillimit të viteve 1990-të, vende të Evropës lindore dhe qëndrore kanë bërë përpjekje të mëdha për tu anëtarësuar në institucionet euro-atlantike. Kur krijoi kriteret e saj për pranimin e vendeve të reja anëtare, NATO-ja e bëri kontrollin civil të ushtrisë një parakusht të rëndësishëm. Jeffrey Simon, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin e Studimeve Strategjike Kombëtare të Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, foli kohët e fundit në Uashington mbi marrëdhëniet civilo-ushtarake në Hungari, Poloni dhe në Republikën Çeke.

Jeffrey Simon është autor i 3 librave mbi marrëdhëniet civilo-ushtarake, me një theks të veçantë në Evropën Lindore dhe Qëndrore. Ai ka ndjekur përparimin që kanë bërë demokracitë e reja në zbatimin e reformave për tu përgatitur për anëtarësim në NATO. Librat e tij përqëndrohen në mbikqyrjen demokratike të ushtrisë në marrëdhënie të shëndosha civilo-ushtarake. Zoti Simon thotë se krijimi i një mbikqyrjeje të efektshme civile mbi ushtrinë është një detyrë e vështirë.

“Është me të vërtet e nevojshme një ndarje e qartë e autoritetit midis presidentit dhe qeverisë. Në fakt është një ndarje midis kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes, nga njera anë, dhe presidentit, nga ana tjetër. Kjo ndarje duhet të bëhet më se e qartë në kushtetutë dhe në ligjin e mbrojtjes.”

Kriteret e reja të NATO-s për vendet e ardhshme anëtare kërkojnë mbikqyrjen e ushtrisë nga parlamenti, nëpërmjet komisioneve të mbrojtjes dhe atyre të zbulimit, qëndrueshmëri politike, buxhete tranparente të mbrojtjes dhe zhvillimin e ekspertizës ushtarake.

Zoti Simon tha se disa vende, si për shembull Hungaria, ndeshen ende me sfida të mëdha që ministrat e tyre civilë të mbrojtjes të mbikqyrin komandantët dhe personelin ushtarak.

“Nën-titulli i njërit prej këtyre librave, i cili është libri rreth Hungarisë mbi problemet e marrëdhënieve civilo-ushtarake, tregon me fjalë të ashpra se deri më tani ata kanë qënë të pasukseshëm.”

Zoti Simon thotë se drejtuesit e ministrisë së mbrojtjes parashikojnë pjesëmarrje në zhvillimin e një buxheti shumë vjeçar të mbrojtjes, informacion rreth zbulimit dhe angazhim në planifikimin strategjik dhe të mbrojtjes. Ata përfshijnë zhvillimin dhe dislokimin e një strukture të qëndrueshme, duke marrë vendime të arsyeshme për zotërim armësh dhe duke u siguruar që armët nuk bien në duar të gabuara.

Autori tha se rikthimi i prestigjit, besimit dhe përgjegjësisë ushtarake tek forcat e armatosura është një element tjetër i rëndësishëm i një transformimi të sukseshëm. Në Poloni, për shembull, ushtria respektohet dhe mbështetet nga parlamenti dhe shoqëria në përgjithësi. Ushtria në Republikën Çeke njihet gjithashtu brënda dhe jashtë vendit dhe e ka shtuar prestigjin e saj, pjesërisht për arsye të veprimtarive të saj të ndihmave gjatë përmbytjeve dhe në operacione nëpër zona të ndryshme.

“I vetmi vend që nuk e ka përmirësuar prestigjin është Hungaria, ku ushtria është ende një institucion me shumë pak respekt. Ky është një vend, ku mbështetja nëpërmjet buxhetit është ende në një nivel shumë të ulët. Këto janë marrëdhënie civilo-ushtarake jo të shëndosha.”

Zoti Simon thotë se vështirësitë buxhetore dhe kërkesat e brëdshme, si Kosova dhe Afganistani, afektuan transformimin ushtarak në disa vende që aspironin të anëtarësoheshin në NATO. Por ai shton se në përgjithësi vendet e Evropës Lindore e Qëndrore kanë bërë përparim të rëndësishëm. Ai thekson se proceset kalimtare pas komunizmit në Evropën lindore dhe qëndrore dhe përshtatjet e para të NATO-s mund të nxjerrin mësime të vlefshme për vendet anëtare në të ardhmen.

“Partneriteti në rastin e Kroacisë dhe nismat për tu përfshirë në partneritetin e paqes për Bosnjen dhe për Sërbinë janë ende elemente shumë vendimtare dhe të rëndësishme për të ruajtur sigurinë dhe për t’i mbajtur këto vende të angazhuara dhe të përqëndruara në rrugën dhe aspektet e duhura. Megjithatë, këto vende kanë ende shumë punë për të bërë.”

Zoti Simon tha në përfundim se këto çështje janë më të dukshme në vendet që presin të anëtarësohen në NATO në raundin e ardhshëm ose që tashmë marrin pjesë në partneritet dhe që kërkojnë vemendje të vazhdueshme.

XS
SM
MD
LG