Lidhje

Jemen: Konferenca për demokraci deklaron se Lindja e Mesme vazhdon të vuajë nga regjime autoritare, censura dhe shtypja e grave - 2004-01-21


Delegatë prej më shumë se 50 shtetesh dhe shumë organizatash ndërkombëtare e rajonale u mblodhën në Jemen për të diskutuar mbi shpresat për demokraci në Lindjen e Mesme. Konferenca ishte organizuar nga Jemeni në bashkëpunim me Kanadanë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Konferenca u mbajt pas një raporti të OKB-së se Lindja e Mesme vazhdon të vuajë nga regjime autoritare, censura dhe shtypja e grave. Konferenca i pranoi këto shkelje. Në deklaratën e tyre përfundimtare, delegatët thonë se të drejtat e njeriut dhe zbatimi i shtetit juridik nuk janë në kundërshtim me asnjë fe e kulturë dhe duhet të jenë në bazë të çdo koncepti për demokraci. Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, tha se demokracia është zgjedhja e kohëve moderne për të gjithë popujt e botës dhe anija shpëtuese për regjimet politike.

Presidenti George Bush thotë se popujt në Lindjen e Mesme duhet të përfshihen në bashkësinë e popujve të lirë. “A janë vallë miliona burra, gra e fëmijë të dënuar nga historia a kultura që të jetojnë në despotizëm?! A janë ata të vetmit që nuk e kanë njohur kurrë lirinë dhe kurrë nuk u është dhënë mundësia që të bëjnë një zgjedhje në këtë drejtim?! Unë, për asnjë moment, nuk e besoj një gjë të tillë. Unë besoj se çdo njeri ka aftësinë dhe të drejtën të jetë i lirë”.

Në një mesazh drejtuar konferencës, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, tha se “demokracia i takon popullit. Ajo nuk mund të imponohet nga jashtë”. Shtetet e Bashkuara kanë të njejtën pikpamje me zotin Annan, ashtu siç është shprehur qartë edhe Presidenti Bush: “Qeveritë përfaqësuese në Lindjen e Mesme do të pasqyrojnë kulturat e tyre. Ato as nuk do të përngjajnë me ne dhe as duhet të përngjajnë me ne. Vendet demokratike mund të jenë monarki demokratike, republika federale apo sisteme parlamentare. Dhe demokracitë në veprim kanë gjithmonë nevojë për kohën e tyre të zhvillimit, ashtu si edhe demokracia jonë”.

Si kudo gjetkë në botë, qeveritë në Lindjen e Mesme mund ta zgjerojnë shkallën e lirisë dhe të forcojnë më tej institucionet demokeratike. “Njerëzit e mirë dhe të aftë të Lindjes së Mesme”, tha Presidneti Bush, “meritojnë të jenë qytetarë aktivë”. //az//

XS
SM
MD
LG