Lidhje

Demokratët kritikojnë republikanët - 2004-01-21


Ligjvenësit demokratë në Kongres ka kohë që po i kritikojnë republikanët dhe administratën e presidentit Bush në lidhje me politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Demokratët po përgatisin kështu programin e tyre për muajt e ardhshëm gjatë këtij viti zgjedhor.

Ky mund të jetë një vit i ri, por demokratëve ende nuk u ka kaluar zemërimi i shkaktuar nga lufta politike gjatë sesionit të mëparshëm të Kongresit.

Kur Kongresi filloi pushimet e dimrit, demokratët po ankoheshin rreth atyre, që ata i cilësuan si taktika autoritare të republikanëve, të cilët kontrollojnë të dy dhomat e organit ligjvenës, si Senatin edhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Në krye të listës, sipas demokratëve, ishte mënyra se si deputetët republikanë mbajtën të hapur një votim të rëndësishëm në lidhje me reformën në sistemin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit, për tri orë, një periudhë kjo shumë më e gjatë se zakonisht, ndërkohë që republikanët vazhdonin përpjekjet për të bindur ligjvënësit e pavendosur që të bashkoheshin me ta.

Demokratët akuzojnë republikanët se nuk kanë përdorur procedura të hapura normale për të kaluar ligjet përmes një diskutimi të hollësishëm para se të bëhej votimi.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Tom Daschle, foli të martën rreth këtyre tensioneve.

“Vë në dukje me trishtim mënyrën se si u mbyll sesioni i fundit. Shumica republikane nuk kërkoi konsensusin apo bashkëpunimin e demokratëve, as për projektligjin mbi kujdesin shëndetësor për të moshuarit dhe as lidhur me legjislacionin për energjinë. Ishte një proces i karakterizuar nga shkelje procedurale”, tha Senatori Daschle.

Në Senat, udhëheqësi i shumicës republikane, Bill Frist ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak. Ai e bëri këtë kërkesë në lidhje me një ligj të rëndësishëm mbi shpenzimet që Senati nuk arriti ta miratonte në nëtor. Senatori Frist theksoi se të gjithë e dinë, se në qoftë se nuk miratohet ky projektligj, operacionet jo ushtarake të agjencive kryesore të qeverisë do të financohen në bazë të buxhetit të vitit të kaluar.

Me fillimin e zgjedhjeve paraprake në kuadër të garës presidenciale dhe për kontrollin e Kongresit, demokratët po krahasojnë vështirësitë me të cilat vazhdojnë të përballen amerikanët, me deklaratat e administratës së Presidentit Bush rreth përmirësimit të ekonomisë. Demokratët morën si shembull propozimin e Presidentit Bush për një nismë të re në fushën e hapësirës, përfshirë udhëtimet në Hënë dhe në Mars, për të theksuar ato që ata i cilësojnë si përparësi jo të drejta të presidentit.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Maryland, Albert Wynn dhe Elijah Cummings, thonë se pakicat, e në mënyrë të veçantë afrikano-amerikanët, po e ndjejnë trysninë e ekonomisë së dobët.

“Nëse ideja e madhe e presidentit është dërgimi i astronautëve në Mars, atëherë duket se ai e ka humbur lidhjen me popullin amerikan”, thotë zoti Wynn.

“Presidenti është i gatshëm të thotë se është i dhembshur dhe konservator. Unë kam parë shumë prej konservatorizmit të presidentit, por nuk kam parë ende dhembshurinë”, thotë ligjvënësi Cummings.

Por, republikanët si anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve Candice Miller nga Michigani, hidhen menjëherë në mbrojtje të presidentit:

“Politikat e presidentit Bush po ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Politikat e tij do të çojnë në rritjen e mëtejshme ekonomike dhe do të krijojnë vende të reja pune, do të shtojnë mundësitë në fushën e arsimit dhe do të ndihmojnë për të garantuar kujdesin shëndetësor për çdo amerikan”, thotë ligjvenësja Miller.

Nëse muajt e fundit të vitit 2003 mund të merren si shembull, atëherë ka shumë mundësi që tensionet partiake midis demokratëve dhe republikanëve të vazhdojnë deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. (ax)

XS
SM
MD
LG