Lidhje

Presidenti Bush përsëriti dje temat që preku gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit - 2004-01-22


Zyrtarisht presidenti Bush nuk ka filluar ende fushatën për t’u rizgjedhur. Por ndërsa udhëton në shtete të ndryshme të Amerikës, duke folur rreth politikave dhe propozimeve të tij, ai flet me pasion rreth çështjeve të rëndësishme për votuesit amerikan.

Në Ohio, për shembull, një shqetësim i madh është humbja e vendeve të punës në sektorin e prodhimit gjatë viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në këtë shtet është ngritur nga 3,9 përqind në 5,7 përqind që kur zoti Bush filloi nga detyra në vitin 2001. Presidenti pranoi ekzistencën e këtij problemi dhe premtoi të ndihmojë.

“E pranoj faktin që Ohio ndeshet me kohë të vështira. Sektori i prodhimit në këtë shtet ka ecur me një rritëm të ngadalshëm, prandaj njerzit po kërkojnë punë. Njerzit, që mund të mbështeten në një vend pune të qëndrueshëm në sektorin e prodhimit shpresojnë t’i bëjnë realitet shpresat e tyre duke gjetur punë diku gjetkë.”

Presidenti Bush tha se me rëndësi janë kurset e kualifikimit, të cilat u bëjnë të mundur njerzve që të kthehen në fuqinë punëtore. Zoti Bush shtoi se plani që ai përmendi në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit do t’u bëjë të mundur kolegjeve me seli nëpër komunitete dhe të financuara prej tyre fonde shtesë veçanërisht për programet, që u mësojnë njerzve pa punë zanate të reja dhe u gjejnë atyre një punëdhënës të mundshëm.

“Dua ta theksoj se ne po përqëndrohemi tek njerzit, që mund të bëjnë realitet premtimin e madh të vendit tonë. Ne nuk do të lëmë askënd në baltë.”

Presidenti foli në një takim me studentë dhe pedagogë në një kolegj afër Tolidos në Ohio. Më vonë ai kishte në plan të zhvillonte një takim të ngjashëm jo shumë larg qytetit Feniks të shtetit Arizona.

Demokratët janë ankuar se planet e presidentit për hapjen e vendeve të reja të punës nuk janë të mjaftueshme. Ata theksojnë shifrat negative të papunësisë në sektorin e prodhimit si shenjë se politikat ekonomike të presidentit në rastin më të mirë kanë sjellë një rimëkëmbje të trazuar.

Një anketë e re e opinionit publik e kryer nga gazeta The Washington Post dhe rrjeti televiziv ABC tregon se shumë amerikanë janë të pakënaqur me mënyrën se si presidenti i ka zgjidhur çështjet e brendshme. Por popullariteti i tij vazhdon të jetë mjaft i lartë dhe miratimi për politikën e tij të sigurimit kombëtar vazhdon të jetë i fortë. 60 përqind e të anketuarve thanë se miratojnë mënyrën se si presidenti po e drejton luftën kundër terrorizmit, çështje kjo rreth së cilës presidenti do të flasë sot gjatë një fjalimi në shtetin New Meksiko.

//ze//

XS
SM
MD
LG