Lidhje

Uashington: Përfundojnë bisedimet me delegacionin shqiptar - 2004-01-22


Në Uashington, Banka Botërore tha se një projekt që ajo po ndihmon të financojë në Shqipëri do ta lehtësojë gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend. Pas bisedimeve të zhvilluara sot me një delegacion shqiptar, zyrtarët e Bankës i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse gjendja e furnizimit me energji elektrike në Shqipëri po shkon drejt përmirësimit, do të duhen shumë më tepër investime për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Zyrtarët e Bankës Botërore thonë se një termocentral që ky institucion po ndihmon të ndërtohet në Vlorë, do ta zbutë problemin e mungesave kronike të energjisë elektrike në Shqipëri.

Ata ia hedhin fajin për krizën shtimit të shpejtë të kërkesave të popullatës dhe mungesës për një kohë të gjatë të projekteve të reja energjitike në vend. Hidrocentrali i fundit në Shqipëri është ndërtuar në vitin 1985 por pas rënies së komunizmit, vendi u përball papritur me rritjen e kërkesave në kushtet kur rrjeti energjitik ishte mjaft i prapambetur.

Iftikhar Khalil, zyrtar i Bankës Botërore që merret me investimet në fushën energjitike në Shqipëri, thotë se një arësye tjetër ka qenë se autoritetet nuk janë treguar sa duhet këmbëngulëse që qytetarët të paguajnë për energjinë që konsumojnë.

"Meqenëse njerëzit nuk paguanin për energjinë, gjendja financiare e Korporatës Energjitike Shqiptare u keqësua aq shumë saqë ajo nuk kishte mundësi të mbante në punë rrjetin e saj energjitik apo të importonte energji. Dhe kjo midis të tjerash filloi të ndikonte në gjendjen makroekonomike të vendit sepse qeverisë iu desh të transferonte burime të tjera financiare për të ndihmuar Kesh-in",- thotë zoti Khalil.

Zoti Khalil mendon se gjendja po përmirësohet. Sipas tij, nga fundi i vitit 2005, gjërat do të jenë përmirësuar ndjeshëm.

Ai shpjegon se ndërtimi i termocentralit të ri, investimi i parë i rëndësishëm në këtë fushë që prej 20 vjetësh, do ta lehtësojë gjendjen.

Zyrtarët shqiptarë që morën pjesë në bisedime e pranojnë se gjendja e furnizimit me energji në Shkodër është një nga problemet e mëdha me të cilat ndeshet qeveria shqiptare. Problemi nuk mund të ketë një zgjidhje të menjëhershme, thotë Drejtori i Përgjithëm i Korporatës Energjitike, Andis Harasani.

"Pagesat në Shkodër janë në nivele minimale dhe për sa kohë nuk do të ketë pagesa, nuk do të ketë as energji. Energjia është një mall si gjithë mallrat e tjerë. Në momentin që do të fillojë të paguhet, atëhere do të furnizohet",- thotë zoti Hasarani.

Zyrtarët e Bankës Botërore thonë se për të arritur në një zgjidhje të qendrueshme të problemit në Shqipëri, vendit do t’i duhen investime që kapin rreth 1 miliard dollarë për një periudhë prej 10 vjetësh.// lk //

XS
SM
MD
LG