Lidhje

Takim në Shtëpinë e Bardhë: Powell-Rice-Brahimi - 2004-01-22


Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush dhe një i dërguar i lartë i Kombeve të Bashkuara u takuan të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar rreth planit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për kalimin e pushtetit në Irak.

Zyrtarët thanë se bisedimet, në të cilat morën pjesë sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, këshilltarja e presidentit Bush për sigurimin kombëtar, Condoleezza Rice dhe Lakhdar Brahimi, i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, u përqëndruan në atë që zyrtarët e cilësuan mënyra për të ecur përpara në Irak, duke iu referuar planit për kalimin e sovranitetit irakianëve deri më 30 qershor.

Plani bën thirrje për kalimin e pushtetit një qeveria të përkohshme irakiane e zgjedhur nëpërmjet takimeve rajonale në të gjithë vendin. Administrata e përkohshme do të drejtonte Irakun deri sa të organizoheshin zgjedhjet e drejtë për drejta jo më vonë se fundi i 2005-ës.

Por disa udhëheqës shiitë kanë bërë thirrje për zgjedhje të drejtë për drejta, duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar legjitimitetin e një qeverie të përkohshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli Qeverisës Irakian, i emëruar nga amerikanët, thonë se zgjedhjet e hershme janë të pamundshme për shkak të problemeve të sigurimit dhe të regjistrimit të votusve. Megjithatë ata thonë se po e ndryshojnë planin e tyre për të siguruar që takimet rajonale të jenë sa më transparente që është e mundur.

Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli Qeverisës Irakian kërkuan ndihmën e Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, tha se do të shqyrtojë një kërkesë për të dërguar një ekip ekspertësh të OKB-së në Irak për të ndihmuar në përcaktimin në se zgjedhjet e hershme janë të mundshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG