Lidhje

Komenton një dijetar dhe ekspert i çështjeve të Kosovës - 2004-01-22


Jeffrey Simon, dijetar dhe ekspert mbi çështjet e Kosovës, thotë se gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Zoti Simon thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk ka arritur ende një konsensus mbi të ardhmen e këtij territori dhe si rezultat një zgjidhje e përhershme nuk është as edhe në rendin e ditës.

Muajin e kaluar, Kombet e Bashkuara publikuan një dokument prej 10 faqesh me standartet që qeveria e përkohshme e Kosovës duhet të zbatojë para se të mund të shqyrtohet statusi i ardhshëm i Kosovës, ndoshta në fund të vitit të ardhshëm. Sërbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që shqiptarët e saj e kërkojnë një gjë të tillë.

Zoti Simon, studjues në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare këtu në Washington, thotë se pasiguria është një pengesë shumë e madhe, e cila ndërlikon krijimin e një qeverie lokale të efektshme.

“Në Kosovë kemi të bëjmë me apatinë në rritje të qytetarëve. Ndeshemi gjithashtu me elementë të dëmshëm që mbeten gjithnjë e më shumë pa u ndëshkuar, të cilët nuk janë të interesuar në zhvillimin e Kosovës. Gjithashtu kemi të bëjmë me mungesën e efektshmërisë së institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht mungesa e efektshmërisë së tyre për të punuar me grupe të ndryshme me qëllim që të ndërtohet një e ardhme demokratike për të gjithë.”

Zoti Simon tha se forca e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë zbaton një farë qëndrueshmërie të çoroditur në atë vend.

Politikani i opozitës në Maqedoni, Vasil Tupurkovski, i cili gjithashtu foli në qendrën Woodrow Wilson, i shikon gjërat ndryshe. Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar po tregon prirje se do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, zhvillim ky, që zoti Tupirkovski mendon se do të destabilizojë të gjithë rajonin.

“Pavarësia e Kovosës do të jetë problem për Sërbinë. Do të jetë gjithashtu problem për Bosnje-Hercegovinënj, gjë që do të thotë ringjalljen përsëri të shumë çështjeve në Ballkan. Nga ky këndëvështrim mendoj se standartet e Kombeve të Bashkuara kanë një domethënie. Komuniteti ndërkombëtar do të bënte një gabim shumë të madh në se nuk mbështeste këto standarte, pavarësisht nga afati kohor.”

Zoti Tupurkovski tha se do të ishte diçka me pasoja shkatërrimtare, në se komuniteti ndërkombëtar do të lejonte ndryshimin e kufijve kudoqoftë në ish Jugosllavi. Ai mendon se pavarësia e Kosovës është kërcënim për Maqedoninë. Madje atë e shqetëson së tepërmi mundësia që shqiptarët në Kosovë e në Maqedoni do të kërkojnë të bashkohen me Shqipërinë për të krijuar Shqipërinë e Madhe.

//ze//

XS
SM
MD
LG