Lidhje

Irakianët janë tani të lirë të shprehin opinionin dhe bindjet e tyre fetare në publik - 2004-01-23


Irakianët janë tani të lirë të shprehin opinionin dhe bindjet e tyre fetare në publik. Ata nuk mund ta bënin këtë gjë nën regjimin e Sadam Huseinit.

Mijëra myslimanë shiitë të Irakut u mblodhën kohët e fundit në Bagdat në mbështetje të zgjedhjeve të drejtpërdrejta. Ata dëgjuan qëndrimet e udhëheqësve të tyre fetarë, përfshirë edhe ato të Ajatollah Ali al-Sistanit, një klerik i lartë shiit, që mbështet zgjedhjet e drejtpërdrejta para rikthimit të sovranitetit irakian më 30 qershor. Protestuesit paqësorë mbanin në duar parulla dhe brohorisnin “Po unitetit, po zgjedhjeve.”

Larmia e opinioneve thotë Daniel Senor, këshilltar i lartë i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, është shenjë e mirë.

"Individët dhe udhëheqësit politikë dhe fetarë për herë të parë kanë mundësinë të flasin hapur dhe të diskutojnë përparësitë e tyre si dhe vizionin mbi formën që duhet të marrë Iraku. Ne e konsiderojmë këtë një shenjë pozitive dhe si një temë për diskutime të ardhshme ndërmjet Këshillit qeverisës dhe udhëheqësve atje."

Myslimanët irakianë janë gjithashtu të lirë të udhëtojnë jashtë vendit. Këtë vit mijëra irakianë do të bashkohen me më shumë se 2 milion myslimanë të tjerë nga 160 vende për pelegrinazhin e haxhillëkut në Mekë të Arabisë Saudite, vendi më i shenjtë i fesë islame.

Regjimi i Sadam Huseinit e kufizoi numrin e irakianëve që mund të ndërmerrnin këtë udhëtim. Këtë vit 30 mijë irakianë mund të shkojnë, numri i plotë i irakianëve i caktuar për Irakun nga autoritetet saudite. Afro 200 mijë irakianë kanë paraqitur kërkesë për të shkuar në Mekë dhe përzgjedhja ishte kryesisht mbi bazën e një llotarie.

Abdulrahman Abdulaziz Abdulla ishte një ndër personat e zgjedhur. Ai i tha Zërit të Amerikës se kur e pa emrin e tij në listë ishte gëzuar shumë, vajtja në Mekë kishte qenë gjithnjë synimi i tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG