Lidhje

Kërkesat e reja për vizat amerikane - 2004-01-23


Që nga 5 janari shumë të huajve që vijnë në Shtetet e Bashkuara me viza u merren shenjat e gishtërinjve dhe fotografohen si pjesë e programit të sigurisë kombëtare. Shumë ekspertë i vlerësojnë këto masa si efektive dhe të nevojshme. Por disa analistë paralajmërojnë për abuzime të mundshme. Programi ka shkaktuar gjithashtu disa polemika edhe jashtë kufijve të Amerikës.

Duhen vetëm disa sekonda. Vë gishtin në skanerin elektronik, fotografohesh me një aparat dixhital dhe kaq. Mirësevini në Shtetet e Bashkuara! Sigurisht kaq e thjeshtë është nëse nuk je në ndonjë listë të kërkuarish, ose nëse të dhënat që i janë bashkangjitur vizës janë të sakta. Nga kjo procedurë përjashtohen shtetasit e 27 vendeve që nuk kanë nevojë të bëjnë kërkesa për viza amerikane me afat të shkurtër. Ndërsa bënte të njohura masat e reja, Asa Hutchinson, nënsekretar për sigurinë e kufijve dhe transportit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare tha se shpresonte që shumë vizitorë do t’i konsideronin ato të dobishme, të thjeshta dhe të drejta.

Në fakt shumë vizitorë të huaj që vijnë në aeroportin Ndërkombëtar Dulles të Washingtonit, kishin këtë mendim. Ja ç’thotë njëri prej tyre:

“Është më mirë kështu, sepse është më e sigurt dhe procedura nuk zgjat shumë. Mjafton të vësh gishtin në ekranin e vogël dhe kalon. Jo, mua nuk me vjen keq nëse na bën të ndjehemi më të sigurt. Nuk jam aspak kundër”.

Por disa vizitorë druhen se informacioni i mbledhur nga autoritetet konsullore dhe të imigracionit në Shtetet e Bashkuara, mund të bien në duart e gabuara.

Tom Ridge, Sekretari i Sigurisë Kombëtare deklarois e vetëm zyrtarët e autorizuar do të kishin të drejtë ta shihnin informacionin.

Por disa analistë shqetësohen se aftësia e qeverisë për të mbledhur dhe përpunuar një numër aq të madh të dhënash mund të çojë në abuzime.

Clyde Wayne Crews, Drejtor i Politikave të Teknologjisë në Institutin Cato në Washington, thotë se nuk ka asgjë të keqe që të përdoret teknologji moderne për të kontrolluar identitetin e një vizitori. Por sipas tij kjo teknologji nuk duhet të përdoret për të hapur dosje të përhershme për njerëz që nuk po hetohen me urdhër gjykate.

“Nëse ata japin shenja gishtërinjsh ose fotografohen ose u bëhet një skanim i retinës dhe nuk del asnjë informacion lidhur me ta, nuk duhen krijuar dosje për këta individë. Nëse programi funksionon kështu, mund të pranohet. Por pyetja që shtrohet është a mund të kesh besim se qeveria nuk do ta mbajë atë informacion?”, thotë ai.

Analistët janë të një mendjeje se rritja e masave të sigurisë duhet të jetë të paktën pjesërisht përgjegjëse për faktin që prej 11 shtatorit 2001, nuk ka patur asnjë sulm terrorist në territorin e Shteteve të Bashkuara. Por zoti Crews thotë se kjo mund të jetë më shumë si rezultat i përmirësimeve të tjera dhe faktorëve psikologjikë, sesa kontrollit të identiteteve.

Pavarësisht nga masat për kontrollin e vizitorëve, zyrtarët amerikanë theksojnë se duan që Amerika të vazhdojë të jetë një shoqëri e hapur dhe mikpritëse. Presidenti Bush është shprehur se Amerika nuk është një kështjellë.

Deborah Meyers, analiste në Institutin për Politikat e Emigracionit thotë se qeveria amerikane duhet të tregojë se po përpiqet jo vetëm të ruajë kufijtë, por edhe të lehtësojë procesin e vizave për të huajt që respektojnë ligjet.

Shumë vizitorë evropianë krahasojnë kontrollet e imtësishme të identitetit në Shtetet e Bashkuara me mungesën e masave të tilla në Bashkimin Evropian.

Por zonja Meyers thotë se në Evropë, ashtu si edhe në Shtetet e Bashkuara pjesa më e madhe e kontrollit bëhet prapa skenave, përmes shkëmbimit të informacionit mes agjencive të vendit të huaja që merren me ruajtjen e rendit.

Vitin e kaluar rreth 6 milionë njerëz bënë kërkesa për viza amerikane në gjithë botën. Analistët janë të një mendjeje se autoritetet konsullore dhe të imigracionit në Shtetet e bashkuara përballen me detyrën e vështirë për të ndihmuar shumicën që e meritojnë mikpritjen amerikane dhe për të ndaluar atë pak vetë që synojnë të shkelin ligjet e vendit dhe kërcënojnë sigurinë e tij.

XS
SM
MD
LG