Lidhje

Kosova dhe standardet - 2004-01-23


Standartet e vendosura nga Kombet e Bashkuara për Kosovën duhet të qartësohen, thotë Mark Baskin, studiues në qëndrën e studimeve ndërkombëtare Woodrow Wilson këtu në Washington. Sipas analistit mbetet e pa përcaktuar mënyra se si do të bëhet vlerësimi i këtyre standardeve.

Zëri i Amerikës: Kombet e Bashkuara kanë caktuar 8 standarte që Kosova duhet të plotësojë para se të mund të shqyrtohet statusi i saj i ardhshëm. Si i vlerësoni ju këto standarte, a janë ato realiste po të kemi parasysh arritjet e deritanishme të qeverisë së Kosovës apo të UNMIKut?

Mark Baskin: Standartet u shpallën fillimisht para dy vjetësh, nga kryeadministratori i atëhershëm Shtajner. UNMIK premtoi të gjente mënyrën për vlerësimin e tyre dhe për t’i vënë ato në funksionim, por kjo nuk ndodhi deri tani vonë, para dida muajsh, kur u shtrua përsëri çështja e statutit të Kosovës. Zyra e kryeministrit Rexhepi dhe disa zyrtarë në Washington besuan se kishte ardhur koha e duhur për të hartuar një plan më konkret, se si do të bëhej vlerësimi i sdantarteve. Ky proces filloi vjeshtën e kaluar dhe përfundoi më 10 dhjetor me miratimin e planit nga Kombet e Bashkuara. Dua të veçoj dy gjëra rreth standarteve. Së pari, është për të ardhur keq që as qeveria e Serbisë dhe as udhëheqja e koalicionit Kthimi nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupet e punës të ngritura për të plotësuar standartet. Kjo do të thotë që ato nuk do të jenë aq të efektshme për të përcaktuar nëse qeveria ka ndërmarrë hapat e duhur për të siguruar fillimin e bisedimeve. Së dyti, po t’i shikosh me vëmendje standarte, ato kanë nevojë për qartësime të mëtejshme. Nuk është ende plotësisht e qartë si do të vlerësohet përmbushja e tyre, si do të përcaktohet për shembull në se zgjedhjet do të jenë plotësisht demokratike, e kështu me rradhë. Është kjo arsyeja që grupet e punës janë shumë të rëndësishme dhe është mirë që të gjithë të marrin pjesë në to.

Zëri i Amerikës: UNMIK kërkon përmbushjen e standarteve në një kohë që mban të rezervuara kompetencat në disa fusha të rëndësishme. Disa zyrtarë shqiptarë pretendojnë se pa këto kompetenca nuk mund të plotësojnë standartet. Cili është komenti juaj?

Mark Baskin: Mendoj se para fazës së hartimit të standarteve kjo ndoshta ishte e vërtetë, por tani me vendosjen e treguesve që do të vlerësojnë arritjet dhe me qartësimin e mëtejshëm të standarteve mendoj se UNMIK-u do të mbahet përgjegjës në fushat ku i mban të rezervuara kompetencat dhe qeveria mund të argumentojë se për standarte të caktuara nuk ka autoritet dhe nuk duhet të mbahet përgjegjëse.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë në Kosovë si zyrtar i Kombeve të Bashkuara në komunën e Prizrenit. Si i vlerësoni ju marrëdhëniet midis ndërkombëtarëve dhe vendorëve. A kanë ndryshuar ato gjatë këtyre viteve?

Mark Baskin: Kanë ndryshuar në disa aspekte por në fakt janë përmirësuar në disa të tjera. Në disa zona, veçanërisht kur shkon nëpër komuna, zyrtari i Kombeve të Bashkuara është më i ndjeshëm ndaj kushteve që e rrethojnë dhe kupton se për të punuar me efektivitet nuk duhet thjesht të imponojë kërkesat e Kombeve të Bashkuara. Ka shumë raste ku përfaqësuesit e komunave kanë punuar me shumë efektivitet me këshilltarët vendorë për zhvillimin e programeve të ndryshme. Por detyrimisht parimet e Kombeve të Bashkuara që rrjedhin nga rezoluta 1244 nuk respektohen dhe nuk pranohen gjithmonë nga gjithkush në Kosovë. Kështu që Kombet e Bashkuara duhet tu përmbahen këtyre parimeve derisa të arrihet një lloj marrëveshje midis palëve për të ecur përpara. Kjo ka sjellë disa herë konflikte dhe përplasje midis zyrës së kryeministrit apo parlamentit të Kosovës dhe UNMIK-ut. Ky është një problem që do të zgjidhet. Në fund të fundit të gjithë e kuptojnë se periudha e administrimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka qënë e suksesshme megjithëse përparimi mund të ishte edhe më i shpejtë.

Zëri i Amerikës: Sa optimist jeni ju se në fund të vitit të ardhshëm Kosova do të arrijë të përmbush standartet?

Mark Baskin: Më inkurajon fakti që njerëzit në qeveri janë entuziastë për të punuar për përmbushjen e standarteve. Shpresoj gjithashtu që ata e kuptojnë se kjo nuk është thjesht një provë politike por është një provë për të zhvilluar kompetenca në disa fusha të administrimit dhe se nuk ka të bëjë thjesht me çështjen se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës por ka të bëjë me mënyrën për t’u siguruar që Kosova të funksionojë efektivisht. Mendoj se Kombet e Bashkuara do të bëjnë çështë e mundur për ta realizuar këtë.

XS
SM
MD
LG