Lidhje

Një ekip sigurimi i Kombeve të Bashkuara mbrriti në Bagdad - 2004-01-24


Zëdhënësi Stephan Dujarric thotë se ekipi i sigurimit prej dy vetash mbrriti dje në aeroportin e Bagdadit. Ai tha se misioni i tyre do të jetë që të punojnë me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për të përmirësuar sigurimin për personelin lokal dhe për qendrat e Kombeve të Bashkuara në Irak.

“Hapja e linjës direkte të komunikimit me koalicionin lidhur me çështjet e sigurimit është e domosdoshme për planifikiminn e sigurisë së personelit të Kombeve të Bashkuara, si dhe veprimtarive e pasurive të kësaj organizate në Irak si dhe për kthimin eventual të personelit ndërkombëtar të OKB-së në Irak.”

Zëdhënësi Dujarric tha se ekipi që ndodhet tashmë në Bagdad punon veças nga një grup për vlerësimin e sigurimit në teren, që ka të ngjarë të mbrrijë në atë vend në të ardhmen e afërt. Ai tha se koha e udhëtimit të grupit të dytë do të varet nga njoftimi i pritur i Sekretarit të Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, se ai do të dërgojë ekspertë në Irak për të ndërmjetësuar një mosmarrëveshje në se zgjedhjet e drejtë për drejta mund të mbahen në të ardhmen e afërt.

Zoti Annan tha dje në Zvicër se ai do ta njoftojë vendimin e tij javën e ardhshme.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit, Heraldo Munoz nga Kili, mirëpriti dërgimin e ekipit, duke e cilësuar atë një hap të parë pozitiv. Ai tha se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilët në të kaluarën kanë qënë shumë të përçarë lidhur me politikën ndaj Irakut, mbështetën me vendosmëri riangazhimin me rezervë të Kombeve të Bashkuara në Irak.

“Mendoj se po qe që Kombet e Bashkuara do të luajnë një rol në Irak, kjo do të bëhet e mundur si rezultat i një koncensusi mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit duan që OKB-ja të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv në Irak.”

Zyrtarët e koalicionit dhe ata irakianë kanë bërë përpjekje të humta për t’i bindur zyrtarët e Kombeve të Bashkuara që të luajnë një rol më të madh në transaferimin e vetë-qeverisjes në Irak. Në veçanti, zyrtarët duan që zoti Annan të parandalojë një krizë politike me Ajatollah Ali al-Sistanin, i cili ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të drejtë për drejta para 30 qershorit, data që koalicioni ka në plan t’ia kalojë pushtetin një qeverie të përkohshme irakiane.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po i bëjnë thirrje zotit Annan që të emërojë këshilltarin e tij të ri politik, Lakhdar Brahimi, si të dërguar të posaçëm në Irak për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me zgjedhjet. Posti i të dërguarit të posaçëm ka qënë bosh që kur Serxhio Viera de Mello u vra nga një sulm terrorist kundër selisë së Kombeve të Bashkuara në Bagdad, gushtin e kaluar.

Zoti Brahimi, i cili sapo u kthye nga mandati i tij i dytë dy-vjeçar si i dërguar i posaçëm në Afganistan, u takua të enjten në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush dhe me zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë sekretarin e shtetit Colin Powell dhe këshilltaren e sigurimit kombëtar, Consoleezza Rice.

//ze//

XS
SM
MD
LG