Lidhje

FMN-ja miraton 5.9 miliardë dollarë, pjesë e një huaje për Shqipërinë - 2004-01-24


Që prej vitit 2002 Shqipëria ka një marrëveshje tre vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar për Reduktimin e Varfërisë e cila parashikon një mbështetje finaniare në formë huaje për një total prej 41.5 milion dollarësh, prej të cilave janë lëvruar rreth 18 milion dollarë.

Të shtunën, Fondi Monetar njoftoi se Bordi ekzekutiv ka përfunduar rishikimin e tretë të programit duke miratuar edhe 5.9 milion dollarë të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Augustin Carstens ka deklaruar se megjithë disa vonesa në reformat strukturore, ecuria e Shqipërisë gjatë gjysmës së parë të programit ka qenë e kënaqshme.

Por ai ka paralajmëruar se deficitet në të ardhurat vazhdojnë dhe mund të kompromentojnë objektivat e programit të reduktimit të Varfërisë. Për këtë zoti Carstenes ka kërkuar jo vetëm përmirësime në administrimin e taksave por edhe përmirësime në qeverisje dhe klimën e biznesit për të reduktuar ekonominë informale dhe për të zgjeruar bazën e taksave.

Sipas zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Fondit Monetar suksesi i një seri reformash me karakter ekonomik kërkon që autoritet të marrin masa të forta edhe në refomat gjyqësore dhe forcimin e shtetit ligjor.

Ministri shqiptar i Financave Arben Malaj deklaroi të shtunën se marrëveshja e arritur me Fondin Monetar tregon stabilitetin makroekonomik të ekonomisë. Ai u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur të përshpejtojë reformat ekonomike, të reduktojë informalitetin, të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe shmangies të detyrimeve fiskale dhe të mbështesë sektorin privat dhe investimet e huaja dhe vendase.

Po të shtunën qeveria shqiptare njoftoi se ka mbyllur me sukses bisedimet e zhvilluara në Uashington me Bankën Botërore, Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi për ndërtimin e një Termocentrali në qytetin e Vlorës.

Sipas marrëveshjes së arritur të tri bankat do të ofrojnë 100 milion dollarë ndërsa korporata energjitike shqiptare do të investojë 12 milion dollarë për fazën e parë të ndërtimit. Punimet pritet të nisin në muajin qershor dhe faza e parë do të mbyllet pas 18 muajsh. Investimi për termocentralin e Vlorës konsiderohet si më i rëndësishmi në sektorin e energjisë që prej 20 vitesh. //kk//

XS
SM
MD
LG