Lidhje

SHBA i bën thirrje Evropës të punojnë së bashku për demokracinë në botën arabe - 2004-01-24


Nënpresidenti amerikan, Dick Cheney, i bëri thirrje Evropës të punojë me Shtetet e Bashkuara për nxitjen e demokracisë në botën arabe dhe në Iran, duke thënë se një përpjekje e tillë është shumë e rëndësishme për arritjen e fitores në luftën globale kundër terrorizmit.

Zoti Cheney bëri thirrje edhe për bashkëpunim më të madh në përpjekjet për të përballuar sfidat e shekullit 21 ndaj sigurisë, por theksoi se nëse diplomacia dështon, vendet duhet të jenë të gatshme për të përdorur forcën.

Nënpresidenti Cheney foli para 1 500 udhëheqësve politikë dhe afaristë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Megjithëse ai paraqiti argumente për të justifikuar luftën në Irak dhe tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po bën përparim në stabilizimin e atij vendi, toni i fjalimit të tij ishte pajtues ndaj evropianëve që ende janë skeptikë rreth arsyeve të Washingtonit për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak.

Sipas pikëpamjes së Nënpresidentit Cheney, komuniteti ndërkombëtar përballet me tri përgjegjësi themelore në përpjekejt e tij për të luftuar terrorizmin dhe për të ndaluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. “Fillimisht, ne duhet t’u kundërvihemi ideologjive të dhunës tek burimi i tyre duke nxitur demokracinë në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme dhe përtej. Së dyti, ne duhet të përballemi së bashku me këto rreziqe. Bashkëpunimi mes qeverive tona dhe institucionet e efektshme ndërkombëtare janë më të rëndësishme sot sesa në të kaluarën. Së treti, kur diplomacia dështon, ne duhet të jemi të përgatitur për të përmbushur përgjegjësitë tona dhe të jemi të gatshëm të përdorim forcën nëse është nevoja. Kërcënimet e drejtpërdrejta, theksoi zoti Cheney, kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve vendimtare.”

Nënpresidenti Cheney tha se Evropa duhet të bashkohet me Shtetet e Bashkuara për të inkurajuar qeverinë iraniane të nderojë ato që ai i cilësoi si kërkesa legjitime të popullit iranian.

Zoti Cheney theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa së bashku duhet të mbështesin ata që sipas tij punojnë dhe sakrifikojnë për zbatimin e reformave në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme me qëllim që të parandalohet angazhimi i njerëzve në terrorizëm si zgjidhje për pakënaqësit e tyre.

“Ne e dimë nga përvoja se institucionet vetëqeverisëse i zhvendosin energjitë e njerëzve nga dhuna në drejtim të punës paqesore për ndërtimin e jetës së tyre. Demokracitë nuk ushqejnë zemërimin dhe radikalizmin që pengojnë përparimin e shoqërive të tëra dhe eksportojnë dhunën. Terroristët, theksoi zoti Cheney, nuk gjejnë fusha të përshtatshme rektrutimi në shoqëritë ku të rinjtë kanë të drejtë të punojnë vetë për fatin e tyre dhe të zgjedhin udhëheqësit e vendit.”

Zoti Cheney u bëri thirrje vendeve demokratike në gjithë botën si edhe Kombeve të Bashkuara që të angazhohen në Irak dhe tha se ato duhet të tregohen bujare dhe t’i falin Irakut borxhin e tij të jashtëm masiv.

Nënpresidenti Cheney tha se sikur Shtetet e Bashkuara të mos kishin ndërhyrë në Irak, populli i atij vendi do të vazhdonte të jetonte nën atë që ai e cilësoi si ankth të regjimit të Sadam Huseinit dhe se udhëheqësi i rrëzuar irakian do të vazhdonte të kundërshtonte vullnetin e Kombeve të Bashkuara.//kk//

XS
SM
MD
LG