Lidhje

Pakistani vazhdon luftën kundër terrorismit - 2004-01-24


Shamim Ahmedi, një udhëheqës i grupit terrorist Lashkar-i-Xhhangvi, është arrestuar nga policia pakistaneze. Ai u kap së bashku me një sasi të madhe armësh dhe lëndësh plasëse. Mendohet se Shamim Ahmedi ishte organizatori i sulmit të kohëve të fundit me granada në afërsi të një kishe në Karaçi. Një makinë bombë shpërtheu ndërkohë që forcat policore mbërritën tek vendi i ngjarjes. Njëmbëdhjetë veta u plagosën.

Organizata Lashkar-i-Xhhangvi është një grup terrorist mysliman Suni që ka lidhje me al-Kaidën. Mendohet se ai mban përgjegjësinë për një numër shpërthimesh në autobusa dhe kisha të Karaçit dhe për vrasjen e 5 amerikanëve, përfshirë gazetarin Daniel Pearl.

Në vitin 1999, ky grup u përpoq të vriste kryeministrin e atëhershëm të Pakistanit, Nawaz Sharif. Pakistanezët janë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet grupi Lashkar-i-Xhhangvi. “Qyteti i shpëtoi një katastrofe të madhe kur policia kapi një sasi të madhe armësh dhe lëndësh plasëse”, shkruan Srafarez Ahmed në gazetën Koha Ditore të Pakistanit. “Edhe sa magazina të tilla janë pa u zbuluar në qytet?, pyeti gazetari.

Shtetet e Bashkuara po punojnë me Pakistanin dhe vende të tjera për të bllokuar veprimtarinë e al-Kaidës dhe të grupeve si Lashkar-i-Xhhangvi. Presidenti Bush thotë se këto përpjekje po japin rezultate: “Marsin e kaluar, Khalid Sheikh Muhamedi, një nga organizatorët e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, u kap nga autoritetet amerikane dhe pakistaneze. Më 11 gusht, u kap terrorist Hambali, i cili luajti rol kryesor në sulmin në ishullin Bali të Indonezisë që shkaktoi vdekjen e mbi 200 vetave. Ne po ndjekim terroristët e al-Kaidës në gjithë botën dhe thuajse dy të tretat e udhëheqësve të tyre të njohur janë vrarë ose janë kapur.”

Këto suksese nuk duhet të na çojnë në vetëkënaqësi. Presidenti Bush thekson se terrorizmi mbetet një kërcënim serioz: “Terroristët vazhdojnë të komplotojnë kundër Amerikës dhe pjesës tjetër të botës së qytetëruar. Dhe nëpërmjet vullnetit dhe guximit tonë, thotë Presidenti Bush, ky rrezik do të mposhtet.”

Ne nuk bëmë gjithë këto përpjekje, duke përjetuar tragjedi, vuajtje dhe luftë, theksoi Presidenti Bush, vetëm që të ligështohemi, të ngurrojmë dhe ta lëmë punën pa përfunduar.” //xh//

XS
SM
MD
LG