Lidhje

Amerikanët e humbur në luftime - 2004-01-25


Një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhin një anëtari të forcave të armatosura, është të përfshihet në listën e të humburve në luftime. Amerikanët që vriten në luftë, vdesin me garancinë se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të gjetur trupin e tyre për varrim të përshtatshëm, se familjet e tyre do të njoftohen dhe se sakrifica e tyre do të kujtohet nga populli mirënjohës amerikan. Robërit amerikanë të luftës e dinin se bashkëatdhetarët e tyre nuk do të pushonin kurrë derisa ata të liroheshin. Por, fati i amerikanëve që figurojnë të humbur në luftime ngarkon Shtetet e Bashkuara me një detyrim të posaçëm.

Shtetet e Bashkuara janë të detyruara me ligj dhe moralisht të zbulojnë fatin e çdo amerikane të përfshirë në listën e të humburve në luftime në konfliktet e armatosura. Nëse është e mundur, trupat e ushtarëve të humbur në luftime, vdekja e të cilëve është konfirmuar, duhet të gjenden dhe të varrosen në mënyrë të prështatshme. Dhe për sa kohë të ekzistojë mundësia që ushtarakët amerikanë në listat e të humburve në luftime mund të jenë gjallë, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë ç’është e mundur për t’i gjetur ata dhe për t’i sjellë në atdhe.

Pikërisht për këtë arsye, Kongresi amerikan miratoi Aktin e vitit 2000 T’i Sjellim Ata në Shtëpi. Më shumë se 8 mijë amerikanë figurojnë të humbur nga Lufta e Koresë dhe rreth 2 mijë të tjerëve nuk u dihet fati nga Lufta e Vjetnamit. Ligji amerikan i garanton strehim politik çdo shtetasi të huaj nga Vjetnami, Kamboxhia, Laosi, Kina, Koreja e Veriut ose nga çdo vend i ish-Bashkimit Sovjetik, që personalisht dorëzon tek qeveria së Shteteve të Bashkuara një ushtarak të gjallë amerikan që përfshihet në listën e të humburve nga Lufta e Koresë apo ajo e Vjetnamit. Ligji garanton strehim politik edhe për familjet e tyre që ndihmojnë një ushtarak amerikan që figuron si i humbur në luftime, të lidhet me autoritetet amerikane.

Që nga përfundimi i luftës në Vjetnam në vitin 1975, ka pasur njoftime për ushtarakë amerikanë që mbahen si robër lufte në Azinë Juglindore. Por deri tani, nuk është konfirmuar asnjë njoftim i tillë.

Të gjitha ata që kanë informacion rreth amerikanëve të përfshirë në listat e të humburve në luftime, duhet të kontaktojnë autoritetet amerikane.//kk//

XS
SM
MD
LG