Lidhje

Shqipëri: Operacion i gjerë policor kundër trafiqeve - 2004-01-25


Policia shqiptare ndërmori të dielën një operacion në shkallë të gjerë kontrolli në të gjithë vendin që nisi që në orët e para të mëngjesit dhe përfshiu të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Në të u angazhuan një numër i madh forcash policore, mbi 1800 përfshirë edhe ato të njësive speciale. Mbi 180 automjete të Shqipërisë ushtruan kontrolle në akset kryesore rrugore, ndërsa 19 mjete lundruese patrulluan të gjithë vijën bregdetare që nga Veriu në Shkodër deri në Sarandë në Jug të vendit.

Si rezultat i këtij aksioni u bllokuan gjashtë motoskafe, ndërsa në pikat kufitare u bë i mundur bllokimi i disa personave që përpiqeshin të kalonin ilegalisht.

Kështu në portin e Durrësit, policia arriti të bllokojë 17 udhëtarë nga Kosova në momentin që ata po hipnin në tragetin e linjës në drejtim të Italisë.

Ndërsa në Jug të vendit ui kapën tre persona që po përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugorre, policia ka bërë të mundur, bllokimin e 32 automjeteve, të cilat rezultojnë me dokumenta të falsifikuara.

Në operacionin e së dielën u arrestuan edhe dy persona, të cilët prej kohësh ishin shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, nën akuzën e organizimin dhe favorizimit të trafikut.

Operacioni i ndërmarrë në gjithë vendin, pason atë me emrin “Rrjeta e Hekurt”, që nisi menjëherë pas tragjedisë së 9 janarit në Vlorë, ku humbën jetën 21 persona dhe 7 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Si pasojë e “Rrjetës së Hekurt”, u sekuestrian pasuri të shumta të personave që akuzohen për trafiqet e qenieve njerëzore dhe drogës.

Mes të tjerash u sekuestruan edhe 50 gomone dhe skafe që dyshohej se përdoreshin për trafikun e klandestinëve dhe drogës.

Kryeministri i vendit, Fatos Nano ka deklaruar se viti 2004 do të jetë viti i goditjes më të rëndë ndaj krimit dhe trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore.//kk//

XS
SM
MD
LG