Lidhje

Shqiptarët nga Kosova mbështesin gjeneralin Clark në New Hampshire - 2004-01-25


Në një mëngjes të acartë në New Hampshire, një shtëpi zjarrfikësish e qytezës Auburn është e mbushur me përkrahës të Wesley Clarkut, që brohorasin “Duam Wesin”. Ata janë të ngazëllyer me fushatën e gjeneralit të pensionuar për president të Shteteve të Bashkuara.

Mbi një kamion të zjarrfikësve, në krah të gjeneralit Clark është një grup të rinjsh nga Kosova. Nga viti 1997 deri në vitin 2000, gjenerali Clark ishte Komandant Suprem i Aleancës Atlantike në Evropë dhe udhëhoqi fushatën shumëkombëshe për të ndalur vrasjen e shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

24 vjeçari Arben Dobruna thotë se ndërsa disa anëtarë të familjes së tij ishin vrarë nga forcat serbe, të mbijetuarit ia kishin borxh jetën e tyre gjeneralit Clark.

“Ka shumë anëtarë të familjes sime të cilët kanë humbur por të tjerëve iu shpëtua jeta nga Wesley Clark dhe fushata e NATO-s, e cila i detyroi forcat serbe të largohen Kosova”, tha ai.

Malësore Hajdini është një tjetër shqiptare nga Kosova së cilës i kishin vrarë babain gjatë luftës. Tani 25 vjeçare me banim në Shtetet e Bashkuara ajo thotë se Gjenerali Clark i ka shpëtuar jetën.

“Unë jam këtu vetëm për ta përkrahur dhe për ta falenderuar gjeneralin. Anëtarët e mbetur të familjes sime janë këtu dhe janë gjallë, duke u arsimuar dhe duke bërë plane për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Ne i detyrohemi moralisht gjeneralit sepse ai ka bërë aq shumë për ne”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij para një turme entuziaste, gjenerali Clark tha se përvoja 34 vjeçare e tij në ushtrinë amerikane, e bën atë një kandidat unik për president.

“Unë kam punuar me krerë shtetesh, ministra të jashtëm dhe ministra të mbrojtjes. Unë kam pasur të bëj me diktatorë dhe me disa nga njerëzit më të këqinj të këtij shekulli. Unë dëshmova kundër Millosheviçit në Hagë. Përvoja ime ka qenë përvojë e një udhëheqësi, përvojë e cila i ka bashkuar njerëzit, përvojë e marrjes së vendimeve të rëndësishme duke përfshirë këtu edhe dërgimin e forcave të armatosura në konflikte. Për këtë arsye unë jam kandidati më i mirë. Unë do të jem presidenti më i mirë i Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Labinoti, një i ri tjetër nga Kosova me një pllakatë ku shkruhet “Klarku për president” në dorë thotë se përveç se përkrah gjeneralin për fushatën e udhëhequr në Kosovë, ai përkrah atë edhe për qëndrimet e tij në çështje të tjera.

“Unë ndjeva nevojën që të dal këtu dhe të përkrah gjeneralin Clark për gjithçka që ka bërë për Kosovën por edhe për qëndrimet e tij në çështje të tjera. Unë mendoj se ai do të ishte një kandidat shumë i mirë për president”, thotë ai. Përkrahësit e gjeneralit Clark thonë se ata do të vazhdojnë ta përkrahin atë në fushatën për zgjedhjet e New Hampshirit dhe pastaj edhe në gara të tjera deri sa ai të fitojë emërimin e Partisë Demokrate për president. Megjithëse edhe kandidatët tjerë kanë përkrahës të flaktë është vështirë të mendosh se ndonjëri nga ata ka simpatizantë kaq të pasionuar si këta përkrahës të rinj nga Kosova të gjeneralit Clark.//kk//

XS
SM
MD
LG