Lidhje

Çeni: Amerika dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Evropën - 2004-01-26


Nënpresidenti Dick Cheney dha një sinjal të qartë se Amerika dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Evropën dhe mbrojti luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Duke folur në Romë, zoti Cheney falenderoi Italinë për mbështetjen e saj të fortë në Irak.

Nënpresidenti Dick Cheney u bëri thirrje vendeve të lira të luftojnë kundër përhapjesë së armëve të shkatërrimit në masë dhe mori në mbrojtje ndërhyrjen e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Duke iu referuar Saddam Husseinit, Zoti Cheney tha se "sot ish diktatori është kapur: ai nuk mund të strehojë dhe të mbështesë më terroristët. Përpjekjet e tij të gjata për të shtënë në dorë armë të shkatërrimit në masë kanë marrë fund."

Në fjalimin e mbajtur në bibliotekën e senatit italian para studentëve universitarë si dhe drejtuesve politikë e të biznesit, Zoti Cheney tha se njerëzit e qytetëruar duhet të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të mposhtur terrorizmin.

Sipas fjalëve të tij, "demokracitë e botës duhet të japin një mesazh të qartë: se përpjekjet për të siguruar armë të shkatërrimit në masë të çojnë në izolim dhe paguhen shumë shtrenjt". Ai shtoi se udhëheqësit që heqin dorë nga përpjekje të tilla do të gjejnë një rrugë të hapur për marrëdhënie shumë më të mira me qeveritë kudo në botë.

Por zoti Cheney nuk i përmendi komentet e bëra nga ish kreu i grupit amerikan që merret me kërkimin e armëve të shkatërrimit në masë, David Kay, i cili thotë se tani nuk beson që Saddam Husseini të ketë patur arsenale armësh të ndaluara përpara luftës.

Duke folur për Lindjen e Mesme, zoti Cheney tha se i dërguari amerikan John Wolf do të kthehet në rajon këtë muaj për të vazhduar përpjekjet që synojnë rigjallërimin e planit të paqes. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për një zgjidhje që parashikon ekzistencën e dy shteteve në mosmarrëveshjet midis Izraelit dhe palestinezëve.

Nënpresidenti tha gjithashtu se ndihma për popujt e Lindjes së Mesme që ata të arrijnë demokracinë është në fund të fundit kyçi për të fituar luftën kundër terrorit në një plan më të gjerë.

Në fjalimin e tij, nënpresidenti vlerësoi lart Italinë si një partner i qendrueshëm në luftën kundër terrorizmit. Zoti Cheney shprehu gjithashtu nderimin për ata që, siç u shpreh ai, "kanë sakrifikuar për sigurimin e përbashkët."

Nëntëmbëdhjetë italianë u vranë nëntorin e kaluar kur një kamion bombë u përplas në shtabin e policisë paraushtarake në qytetin Nasiriyah të Irakut jugor.

Nesër, nënpresidenti Cheney pritet të takohet në Vatikan me Papën Gjon Pali i Dytë ndërsa më pas do të shkojë në bazat ushtarake amerikane të Avianos dhe Viçencës në Italinë veriore për të folur para trupave.//ii

XS
SM
MD
LG