Lidhje

SHBA: Jepen çmimet "Golden Globe" - 2004-01-26


Filmi fantastik "Lordi i Unazave" dhe komedia "I humbur në Përkthim" ishin fituesit kryesorë të çmimeve "Golden Globe", ose "Globi i Artë" që u ndanë mbrëmë në ceremoninë e 61-të të Shoqatës së Shtypit të Huaj në Hollivud.

Filmi "Lordi i Unazave" fitoi "Globin e Artë" në kategorinë e filmave dramatikë, ashtu si edhe për muzikën dhe këngën e interpretuar nga Annie Lennox.

Regjisori Peter Jackson mori gjithashtu "Globin e Artë" për realizimin e episodit të tretë të filmit fantastik. Komedia "I humbur në Përkthim", historia e dy udhëtarëve që bëhen miq në Tokio, fitoi tre çmime. Filmi u cilësua si më i miri në kategorinë muzikale dhe komike.

Sofia Coppola u vlerësua për skenarin e filmit, kurse Bill Murray u cilësua aktori më i mirë komik. Diane Keaton mori "Globin e Artë" për rolin e saj në komedinë "Duhet të falësh diçka"- historia romantike midis një gruaje në moshën mesatare dhe një kavalieri që po plaket.

Roli i prostitutës, që më pas kthehet në vrasëse, i dha Charlize Theron "Globin e Artë" si aktorja më e mirë dramatike me filmin "Përbindëshi".

Çmimet "Globi i Artë" përcaktohen nga më shumë se 90 gazetarë të huaj që mbulojnë filmat në Hollivud. Këto çmime konsiderohen si tregues për fituesit e Oskarit, çmime që industria e filmit i merr më seriozisht. Votuesit e çmimeve Oskar preferojnë më shumë dramën sesa komedinë, kështu që "Lordi i Unazave" pritet të jetë një nga fituesit kryesorë edhe në ceremoninë e Akademisë së Filmit. Kandidatët e çmimit Oskar shpallen nesër, kurse çmimet ndahen në fund të muajit shkurt.// lk //

XS
SM
MD
LG