Lidhje

Pauell zhvillon bisedime në Moskë - 2004-01-26


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell dhe presidenti rus Vladimir Putin përshëndetën marrëdhëniet midis vendeve të tyre por pranuan se mosmarrëveshjet vazhdojnë.

Zoti Powell, i cili u takua sot në Kremlin me Presidentin Putin, tha se Uashingtoni është i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit nga ana e Moskës për sa i përket Irakut dhe Afganistanit. Sekretari Powell tha se ai dhe zoti Putin kishin rënë dakord për rëndësinë e angazhimit të Kombeve të Bashkuara në Irak.

Po sot, zoti Powell u takua me ministrin e jashtëm rus Igor Ivanov. Të dyja palët i quajtën të forta marrëdhëniet amerikano-ruse. Uashingtoni i ka kërkuar Moskës të mbajë premtimin për tërheqjen e bazave të saj të fundit në Gjeorgji.

Zoti Powell ishte dje në Gjeorgji për inaugurimin e presidentit të saj të ri, Mikhail Saakashvili. Ai tha se ende ekzistojnë disa pyetje të mbetura pa përgjigje lidhur me pohimet se Rusia i ka shitur armë Irakut para luftës.

Zoti Powell tha se kjo çështje është objekt i diskutimeve që vazhdojnë të zhvillohen me Moskën.

***

Në një artikull botuar sot nga e përditshmja ruse Izvestia përpara bisedimeve të tij në Moskë, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell shprehte shqetësim lidhur me disa veprime të qeverisë ruse muajt e fundit.

Zoti Powell tha se sistemi politik i Rusisë duket se nuk e ka gjetur balancën midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.

Ai thoshte se forca politike në Rusi sipas fjalëve të tij ende nuk vepron në përputhje të plotë me ligjin dhe se çështje të rëndësishme si liria e shtypit dhe zhvillimet e partive politike nuk kanë mundur të jenë të pavarura.

Zoti Powell nuk jepte hollësi por zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim lidhur me zgjedhjet parlamentare të dhjetorit në Rusi në të cilat partia kryesore, që mbështet presidentin Vladimir Putin, arriti një fitore të thellë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet nuk plotësonin standartet ndërkombëtare dhe shkeljet ishin tepër flagrante si rezultat i përdorimit tej mase të fondeve shtetërore.//ii

XS
SM
MD
LG