Lidhje

Bamir Topi: Kryeministri Nano mban përgjegjësinë kryesore për dobësinë në qeverisje - 2004-01-26


Zëri i Amerikës Zoti Topi, cili është reagimi juaj ndaj fjalimit që mbajti sot Kryeministri Nano?

Bamir Topi Për ne nuk është asgjë e paparashikuar. Zoti Nano vazhdon monologje, biles kohët e fundit monologjet janë bërë disi të mërzitshme. Ne kemi kërkuar një debat parlamentar, pikërisht për disa nga problemet të cilat zoti Nano ishte i detyruar t’i pranonte si defekte të qeverisë së tij. Për shembull, ne, në fokus këtë herë, kemi problemet e standarteve të ulëta, të cilat kanë të bëjnë me procesin e asociim-stabilizimit me Komunitetin Evropian dhe problemet e qeverisjes, që vërtetë janë mjaft shqetësuese, jo vetëm për opozitën, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

Ka probleme në vazhdimësi që lidhen me mungesën e qeverisjes, probleme në administratën shtetërore, probleme të korrupsionit galopant, të krimit të organizuar. Ka probleme të tjera që lidhen me varfërinë, që në disa zona në Shqipëri është vërtetë e tejskajshme. Biles, ka probleme të tilla edhe me termat e negociatave, ku shpesh herë interlokutorët nuk janë në gjendje për t’i përballuar këto lloj negociatash.

Unë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por besoj, që bashke me ne, ndajnë të njëjtin opinion edhe grupe të tjera parlamentare të opozitës, jemi të mendimit që zoti Nano, i cili është në një pozicion të dyfishtë, si kryetar i mazhorancës, por edhe si kreu i ekzekutivit, ka përgjegjësinë kryesore për dobësinë në qeverisje, për mungesën e aplikimit të këtyre reformave, që janë jetike në kushtet e Shqipërisë, për ekonominë informale dhe për mjaft probleme të tjera, të cilat kanë detyruar së fundi edhe mjaft qytetarë shqiptarë që t’i drejtohen edhe protestave civile për mungesën e elementëve jetësorë, sikurse janë problemet e elektricitetit, të ujit, probleme të papunësisë masive, pra, në disa lloj standartesh, të cilat nuk arrihen absolutisht në minimumin e tyre për të qenë të gatshëm për t’iu futur procesit të stabilizim-asociimit.

Nga kjo pikëpamje, një debat parlamentar, me një mocion, do ishte mjaft i vlefshëm, jo sepse ne shpresojmë që do t’i kemi numrat në parlament. Kurrsesi, sepse grupi parlamentar i Partisë Socialiste me aleatët, kanë dëshmuar që kanë njëlloj psikologjie të unifikuar, për të votuar kundër çdo lloj nisme, kur vjen nga opozita.

Kjo bëhet për të sensibilizuar mbarë opinionin shoqëror në Shqipëri dhe për të ushtruar trysni institucionale, që legjislativi duhet ta bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi ekzekutivin shqiptar. Ka patur edhe një rezolutë të prillit të vitit 2003, ku legjislativi shqiptar, në mënyrë elokuente, i është drejtuar qeverisë, që të jetë në standartet e duhura për t’iu bashkangjitur procesit të asociim-stabilizimit.

Nuk mund të përmenden të gjitha këtu, por besoj se elementi kryesor do të ishte realizimi i standarteve, në radhë të parë, për zgjedhjet e lira demokratike, zgjidhja e problemeve të të përndjekurve politikë në Shqipëri dhe e problemeve të pronës në Shqipëri. Pra, janë një sërë çështjesh, ku pa dyshim, personi i cili duhet të japë përgjigje për mungesën e këtyre reformave, për dështimin në disa reforma të rëndësishme, është pikërisht Kryeministri Fatos Nano.

Zëri i Amerikës Zoti Topi, a jeni të gatshëm ju që të bashkëpunoni me qeverinë shqiptare në disa fusha, siç është integrimi i Shqipërisë në institucionet euroatlantike ?

Bamir Topi Unë besoj që opozita, mbas rikthimit në parlament, është treguar vazhdimisht e gatshme, që të realizojë të gjitha linjat institucionale. Opozita ka propozuar masa konkrete për luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Por unë besoj që këto linja institucionale, të propozuara nga opozita, kanë mbetur të neglizhuara nga mazhoranca e cila, për hir të së vërtetës, sa herë që diskutohen probleme që vijnë nga opozita si propozime, vazhdimisht i rrëzon në Kuvendin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës Zoti Topi, ka kritikë që thonë se qeveria socialiste e Kryeministrit Nano, megjithë problemet e mëdha, ka qendruar në pushtet kaq gjatë, për shkak të dobësisë së madhe dhe paaftësisë së opozitës. Cili është reagimi juaj lidhur me këto kritika?

Bamir Topi Unë mendoj që Partia Socialiste, e cila duke qënë realisht zotëruese e të gjithë pushteteve të mundshme në Shqipëri, më duhet ta them këtë për interferencat e pushtetit të saj edhe në sistemin e drejtësisë, biles së fundi, edhe për intereferenca në disa pushtet të tjera, ku ka orientuar sipas qëllimeve të saj politike edhe istitucione të cilat, ne kemi menduar se kanë qenë institucione konsensuale, ka bërë të mundur që të bllokojë në një farë mënyre veprimet e opozitës.

Unë mund të them këtu pa pikën e dyshimit që interferencat e drejtpërdrejta të Partisë Socialiste kanë qenë në infrastrukturën zgjedhore, që në mjaft raste kanë bërë të mundur që të modifikohet edhe rezultati i zgjedhjeve. Por, në mënyrë absolute, unë nuk mohoj që opozita shqiptare ka nevojë që të forcohet, të bëhet në bllok një opozitë e fortë mbi bazën e alternativave konkrete të unifikuara, të sinkronizuara, sepse në këtë mënyrë potencohet dhe veprimi i saj për të bërë të mundur rotacionin politik në Shqipëri. Kjo do të vinte në radhë të parë edhe nga përgatitja e një kodi zgjedhor normal, por, mbi të gjitha, për të ndërgjegjësuar jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe institucionet ndërkombëtare, që Partia Socialiste dhe levat e saj, kurrsesi, nuk mund të dhunojnë më votën e lirë dhe demokratike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG