Lidhje

Ndahen çmimet Globi i Artë - 2004-01-26


Filmi fantastik "Lordi i Unazave" dhe komedia "I humbur në Përkthim" ishin fituesit kryesor të çmimeve Golden Globe, ose Globi i Artë që u ndanë mbrëmë në ceremoninë e 61 të Shoqatës së Shtypit të Huaj në Hollivud.

Filmi "Lordi i Unazave" fitoi globin e artë në kategorinë e filmave dramatik ashtu si edhe për muzikën dhe këngën e interpretuar nga Annie Lennox. Regjisori Peter Jackson mori gjithashtu Globin e Artë për realizimin e episodit të tretë të filmit fantastik.

Komedia "I humbur në Përkthim", historia e dy udhëtarëve që bëhen miq në Tokio, fitoi tre çmime. Filmi u cilësua si më i miri në kategorinë muzikale dhe komike. Sofia Coppola u vlerësua për skenarin e filmit kurse Bill Murray u cilësua aktori më i mirë komik.

Diane Keaton mori Globin e Artë për rolin e saj në komedinë Duhet të falësh Diçka historia romantike midis një gruaje në moshën mesatare dhe një kavalieri që po plaket.

Roli i prostitutës që më pas kthehet në vrasëse i dha Charlize Theron globin e artë si aktorja më e mirë dramatike me filmin Përbindësi.

Çmimet Globi i Artë përcaktohen nga më shumë se 90 gazetarë të huaj që mbulojnë filmat në Hollivud. Këto çmime konsiderohen si tregues për fituesit e Oskarit, çmime që industria e filmit i merr më seriozisht. Votuesit e çmimeve Oskar preferojnë më shumë dramën sesa komedinë kështu që Lordi i Unazave pritet të jetë një nga fituesit kryesor edhe në ceremoninë e Akademisë së Filmit. Kandidatët e çmimit Oskar shpallen nesër kurse çmimet ndahen në fund të muajit shkurt.

//rd//

XS
SM
MD
LG