Lidhje

Kryeministri Nano analizon arritjet dhe mangësitë  e vitit 2003. - 2004-01-26


Kryeministri Nano tha se të ardhurat në vend ishin rritur në krahasim me jë vit më parë, por pa aritur të realizohej plani i parashikuar. Po ashtu edhe rritja e e investimeve vecanërisht në infratsrukturën rrugore, nuk lë vend për eufori.

“Ato janë më të mira se vitet paraardhëse, por të pamjaftueshme krahasuar me kërkesat e një zhvillimi të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit. Shqipëria ka nevoja jashtëzakonisht të mëdha të paplotësuara në infrastrukturë dhe në shërbimet thelbësore, publike. Mospërmbushja e detyrimeve të planifikuara për të ardhurat tregon se ende nuk kemi arritur të krijojmë një administratë të aftë për t’u përballur dhe fituar ndaj evazionit fiskal dhe doganor. Këtu ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara, të cilat kërkojnë një revolucion të vërtetë fiskal duke rritur të ardhurat kryesisht nëpërmjet rritjes së bazës së tatimeve dhe jo rritjes së taksave”.

Zoti Nano theksoi nevojën e politikave më të efektshme për uljen e varfërisë. Familjet që jetojnë me burime të pakta jetese apo në varfëri të plotë, janë në një numër më të madh se sa deklarohet nga të dhënat zyrtare, u shpreh zoti Nano. Ai u ndal vecanërisht në problemet e fshatit ku dhe varfëria është më e madhe. Sipërfaqet e kufizuara të tokës, mungesa e teknologjisë, mos nxitja e prodhimit, kufizimet për të dalë në treg, janë shpjegim i fluksit të madh të emigracionit që, siç konstatoi kryeministri, po kthehet në një fenomen të dëmshëm për perspektivën e zhvillimit të fshatit dhe të gjithë vendit, dhe është bërë burim trafiqesh të paligjshme.

Zoti Nano foli dhe për politika jo të drejta zhvillimi, ku zonat e prapambetura vazhdojnë të mbeten jashtë vëmendjes. Ai kërkoi një koordinim më të mirë edhe të ndihmës së huaj, ku sipas tij ka mbivendosje programesh apo përqëndrim të tyre në disa zona. Sipas kryeministrit një tjetër problem që kërkon zgjidhje është edhe ai i papunësisë. Nëse rritja ekonomike do të lidhej me numrin e vendeve të punës që krijohen, atëherë do të shihet se progresi nuk është edhe aq i madh.

Duke iu referuar raportit të të punësuarve në shtet me atë në sektorin privat, i cili është 1 me 1, zoti Nano tha se ky fakt dëshmon për një prapambetje të theksuar në zhvillimin e sketorit privat. Kreu i qeverisë kërkoi një bashkëpunim më të madh me vendet e BE-së për të rritur mundësinë e punësimit legal. Zoti Nano premtoi për një sërë masash që do të favortizonin edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve jashtë kufijve të vendit.

“Ky vit që sapo kemi filluar do të jetë viti i reformave të thella të çdo sektori që siguron lëvizjen e lirë. Në Europë nuk mund të lëvizim nëse vazhdojmë të demonstrojmë krim të organizuar apo trafiqe, nëse vazhdojmë të demonstrojmë paaftësi për të menaxhuar kufijtë shtetëror, nëse demonstrojmë më shumë përkushtim për punët e rëndomta të Europës, në vend të vlerësimit të punës në Shqipëri”.

Në përparësitë për vitin 2004 kryeministri renditi edhe reformën në gjendjen civile, përmirësimin dhe forcimin e administratës publike duke kërkuar thithjen e sa më shumë të të rinjve që kanë mbaruar studimet jashtë vendit, zgjidhjen e probleve të legalizimit e ndërhyrjen e shtetit në tregun e ndërtimeve, për të zbutur problemin e strehimit si dhe përmirësimin e decentralizimit. Në fund kryeministri i drejtoi sërish thirrje opozitës që edhe ajo të marrë përgjegjësitë e veta në zbatimin e reformave në vend

XS
SM
MD
LG