Lidhje

Ervin Dervishi: ushtari amerikan nga Shqipëria që dha jetën në Irak - 2004-01-27


Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi për vdekjen e ushtarit Ervin Dervishi në Irak. Ervin Dervishi, 22 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, humbi jetën të shtunën, kur automjeti me të cilin po udhëtonte ai, u sulmua në qytetin Baji në Irak. Ervini shërbente në Irak me divizionin e katërt të këmbësorisë. Ervini emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 së bashku me familjen, e cila është vendosur në qytetin Forth Worth të Teksasit.

Intervistë me të atin e Ervinit, Kujtim Dervishi.

Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, si e mësuat njoftimin për djalin tuaj?

Kujtim Dervishi: Njoftimi ishte shumë i dhimbshëm për mua. Në orën 8 të mëngjesit vjen një officer dhe më thotë “I am sorry!” - “Më vjen keq” - për atë që i ka ndodhur familjes tuaj. Na dha ngushëllimet. Për mua ishte shumë e fortë. Im bir iku krenar. Ai ishte një djalë i mrekullueshëm. Nuk ka fjalë për ta përshkuar atë lloj njeriu. Unë kam një plagë të madhe sot për tim bir, por jam krenar për atë që ai kontribuoi.

Zëri i Amerikës: Familja juaj erdhi në Amerikë në vitin 1999. Si vendosi Ervini të hynte në radhët e ushtrisë amerikane?

Kujtim Dervishi: Ervini, që kur erdhi këtu, tha: “Babë, unë dua të bëhem ushtarak”. Unë i thashë: “Si të kesh dëshirë”. Unë, me të thënë të drejtën, nuk mund t’ia prisja hovin tim biri, se mendova të mos ia prish jetën dhe ai të shihte jetën e vet. Sepse unë për ata fëmijë erdha këtu. Emigrova në Amerikë dhe mendova që im bir do të bëhej dikushi. Mirëpo, që në fillim, kur erdhëm në Amerikë, ai u interesua për polic. Mbas tre vjetësh, kur mbaroi shkollën e mesme më tha: “Babë, unë do të iki ushtar”. “Mirë, i thashë, por kujdes se ushtria ka edhe të papriturat e veta!” Im bir, gjithë kohën buzëqeshte. Gjithë kohën nuk prishte qejf me njerëzit. Unë u habita, këto ditë, pas asaj që më ndodhi, se sa shumë njerëz më kanë ardhur në shtëpi, të cilët nuk i njihja. Mund të them, diçka e papërshkrueshme për mua. Nuk kam ç’ka t’ju them për dhimbsurinë që më ka rënë, por megjithatë, jam krenar.

Zëri i Amerikës: Sa kohë kishte Ervini që shërbente në Irak?

Kujtim Dervishi: Ervini kishte nëntë muaj në Irak dhe unë nuk e pashë me sy. Një javë përpara unë fola në telefon me tim bir. I them: “Babë, si je?” “Jam mirë”, m’u përgjigj. Ai asnjëherë nuk më tha një llaf të keq, si si ia kalonte. Ndërsa, kur e ngacmoja e i flisja shumë, thoshte: “Babë, mos u mërzit. Jam shumë mirë. Ti pse më ngacmon? Pse kërkon diçka më tepër se sa mund të të jap?!” Tim biri iu prenë gishtat e këmbëve, katër muaj më parë se kishte 2 muaj me këpucë veshur, pa i hequr nga këmba, se ishte në front të luftës. Asgjë nuk më kallëzonte. Nuk më thoshte asnjë llaf të keq. Deri në momentin e fundit, kur pati kontakte me mua, nuk kam dëgjuar një llaf prej tij. Nuk kam dëgjuar një ankesë prej tij. Nuk e di se pse ishte kaq entuziast, kaq i gëzuar për aktivitetin që kishte ndërmarrë.

XS
SM
MD
LG