Lidhje

Iran: Presidenti nuk pranon dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë - 2004-01-27


Agjencia iraniane e lajmeve bën të ditur se presidenti reformist i Iranit, Muhamed Khatami, nuk ka pranuar dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë, të zhgënjyer nga skualifikimi i mijëra kandidatëve reformistë për në zgjedhjet e përgjithshme të muajit tjetër.

Sipas agjencisë së lajmeve, zoti Khatami iu përgjigj një letre të dërguar nga zyrtarët dhe u kërkoi atyre që të qendronin në detyrë.

Në njoftim thuhet se presidenti u zotua se do të ngulë këmbë në nevojën për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve, presidenti Khatami është ankuar edhe se stacionet radiotelevizive shtetërore po i censurojnë deklaratat e tij, në të cilat bëhet thirrje për rishqyrtimin e vendimit për skualifikimin e kandidatëve.

Në fillim të janarit, Këshilli Mbikëqyrës u hoqi të drejtën mijëra kandidatëve, shumica reformistë, që të konkurojnë në zgjedhjet e muajit tjetër. Mes tyre janë 80 anëtarë të parlamentit të tanishëm. Pas urdhrit të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, për të rishqyrtuar vendimin, Këshilli Mbikëqyrës u ka kthyer të drejtën disa qindra kandidatëve për të konkuruar në zgjedhje.

Këshilli Mbikëqyrës prej 12 anëtarësh, një grup klerikësh e juristësh myslimanë të emruar, ka pushtetin të shqyrtojë të gjithë kandidatët për poste publike në Iran dhe të përmbysë vendimet e legjislaturës. Të dielen, këshilli u vuri veton amendamenteve të miratuara nga parlamenti që kishin për synim të dobësonin kontrollin e këshillit mbi procesin elektoral të Iranit.//xh//

XS
SM
MD
LG