Lidhje

Komisioni i 11 shtatorit bën publike hollësi të raportit - 2004-01-28


Komisioni i pavarur prej 10 anëtarësh që po merret me hetimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, po bën publike hollësitë e një raporti që ka në plan ta bëjë të njohur muajt e ardhshëm. Në një seancë që u zhvillua ditët e fundit, anëtarë të Komisionit, ish zyrtarë qeveritarë dhe të aviacionit, si dhe përfaqësues të linjave ajrore, thanë se vendi u gjet i papërgatitur për të përballuar ngjarjet e 11 shtatorit 2001.

19 personat që rrëmbyen 4 avionët e udhëtarëve më 11 shtator, kishin studiuar me kujdes të metat në sistemin e sigurisë, veçanërisht dobësitë në pikat e kontrollit të pasagjerëve.

Në muajt përpara sulmeve terroriste, rrëmbyesit e avionëve kishin bërë prova, duke hipur në avionët e linjave të brendshme amerikane, për t’u siguruar se planet e tyre do të funksiononin. Anëtari i Komisionit Bill Johnson thotë:

”Të 19 rrëmbyesit e avionëve mundën të kalonin me sukses në pikat e kontrollit, për të hipur në avionë. Kështu që ata i kishin bërë llogaritë duke u bazuar në dobësitë e sistemit.”

Para 11 shtatorit, rregullat u ndalonin pasagjerëve të kishin me vete thika më të gjata se 10 centimetra.

Megjithatë, thikat më të vogla lejoheshin. Anëtarët e Komisionit, patën rastin të shohin një thikë palosëse, të quajtur ”Leatherman”.

”Sot në mëngjes kemi parë këtë thikë të tipit ”Leatherman”, e cila e ka tehun mbi 10 centimetra dhe që ka aftësinë të paloset,” thotë anëtari i Komisionit, Richard Ben Veniste.

Hetuesit e Komisionit thonë se para 11 shtatorit, dy nga rrëmbyesit e avionëve blenë thika të tilla, të cilat nuk u gjetën më midis sendeve personale të lëna prej tyre.

Ish-punonjësja e Agjencisë Federale të Aviacionit, Jane Garvey thotë se siguria e aviacionit, më parë përqëndohej tek masat për të ruajtur avionët e fluturimeve ndërkombëtare. Rrëmbyesit e avionëve, thotë ajo, shfrytëzuan supozimet e gabuara të bëra nga zyrtarët.

”Mes këtyre supozimeve ishte se rrëmbyesit e motivuar politikisht do t’i lironin pasagjerët dhe se krahas rrëmbimeve, eksplozivët përbënin kërcënimin më të madh. Ngjarjet e 11 shtatorit, natyrisht që provuan se këto supozime nuk qëndronin. Një sistem, i cili ishte provuar si i efektshëm për 10 vjetët e mëparshëm, mund të mos ishte më i tillë.”

Megjithëse kishte shqetësime në rritje për kërcënimet ndaj avionëve të linjave të brendshme, ish-zyrtarja e Agjencisë Federale të Aviacionit, Jane Garvey, thotë se agjencia federale e aviacionit në atë kohë nuk kishte informacione konkrete dhe të besueshme, të cilat të tregonin për llojin e sulmit që do të përdorej më 11 shtator, apo që një sulm i tillë të ishte i mundur.

Një nga momentet më tronditëse gjatë mbledhjes së komisionit, ishte kur pjesëtarët e tij dëgjuan për herë të parë bisedën telefonike me tokën, të njërës prej stjuardesave të avionit me numër fluturimi 11, i cili ishte rrëmbyer .

”Jam numri 3 këtu në fund të avionit, kabina nuk përgjigjet, dikush është qëlluar me thikë në vendet e klasit të parë. Mezi po marrim frymë. Nuk e di çpo ndodh por më duket se avioni është rrëmbyer.”

Pas dëgjimit të zërit të regjistruar të stjuardesës, në fytyrat e anëtarëve të komisionit dukej qartë tronditja.

Seanca e kësaj jave ishte e shtata e Komisionit Kombëtar për sulmet terroriste të 11shtatorit, i cili njihet si Komisonit i 11 shtatorit.

”Linjat ajrore mbanin përgjegjësi për sigurinë e pasagjerëve, për zbatimin e aspekteve kyçe të sistemit të sigurisë të aviacionit civil. Më 11 shtator ky sistem nuk funksionoi siç duhet dhe ne jemi ngarkuar pikërisht për gjetjen e shkakut,” thotë Kryetari i Komisionit, Thomas Keane.

Megjithatë, puna e Komisionit të krijuar nga Kongresi në vitin 2002, nuk ka qenë e lehtë. Administrata e Presidentit Bush fillimisht e kundërshtoi idenë e krijimit të Komisionit dhe hetuesit kanë patur probleme për të siguruar disa informacione sekrete, me të cilat kanë kërkuar të njihen gjatë porcesit të hetimeve.

Anëtarët e Komisionit po kërkojnë ta shtyjnë afatin e 27 majit për publikimin e raportit të tyre përfundimtar.//ii

XS
SM
MD
LG