Lidhje

Shqiptari i vrarë në Irak, Ervin Dervishi nderohet me titullin “Dëshmor i Atdheut” - 2004-01-29


Në Shqipëri u zhvillua sot një ceremoni e posaçme për nder të Ervin Dervishit, të riut shqiptar, të përfshirë në trupat e ushtrisë amerikane, i cili u vra pak ditë më parë në Irak.

Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko tha se Dervishi është një djalë hero i Tiranës, i cili luftoi me flamurin amerikan në krah dhe flamurin shqiptar në zemër. Zoti Majko njoftoi se i kishte kërkuar trupave shqiptare komando në Irak që të mbaNin një minutë heshtje.

Ndërsa ambasadori amerikan James Jeffrey, u shpreh se Dervishi ishte ushtar i Shteteve të Bashkuara, ushtar i Shqipërisë që luftonte për paqen dhe për një Irak më të mirë.

Qeveria shqiptare e ka shpallur Ervin Dervishin “Dëshmor të Atdheut” dhe kryeministri Fatos Nano i ka propozuar Presidentit që ti japë atij dekoratën e lartë “Shqiponja e artë”.

Dervishi, kishte emigruar së bashku me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, ku më pas ishte regjistruar vullnetarisht në trupat e ushtrisë amerikane.

Opozita braktis seancen e Parlamentit

Opozita shqiptare braktisi sot sërish seancën e parlamentit në shenjë proteste ndaj kundërshtimit të shumicës së majtë për ti besuar asaj drejtimin e komisionit të posaçëm hetimor mbi tragjedinë e 9 janarit.

Socialistët, të cilët kanë kërkuar që hetimet të përfshijnë edhe një ngjarje tjetër, të marsit të vitit 1996, ku mendohet se kanë humbur jetën 32 persona nga Dibra, këmbëngulin për ta kryesuar vetë komisionin. Sipas opozitës, kjo nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të fshihte përgjegjësit e tragjedisë.

Nëse të dyja palët nuk bien dakort për kryesimin e komisionit, atëherë ngritja e tij rrezikon të dështojë, përsa kohë opozita ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë, nëse drejtohet nga përfaqësuesit e shumicës.

Po sot, kanë vazhduar patrullimet në det nga anijet italiane dhe ato të marines shqiptare, në kërkim të trupave të 7 personave, të cilët konsiderohen të humbur natën e 9 janarit.// lk //

XS
SM
MD
LG