Lidhje

Rajs: Jo hetimeve të pavarura për armët irakiane - 2004-01-29


Këshilltarja e presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar Kondoliza Rajs, i hodhi poshtë kërkesat për hetime të pavarura lidhur me informacionet e zbulimit për armët që zotëronte Iraku, për të cilat ka patur kritika se ishin të pasakta.

E intervistuar të enjten nga rrjetet televizive zonja Rajs tha se një hetim i pavarur nuk është i nevojshëm pasi CIA, Agjencia Qendrore e Zbulimit, ka filluar hetime të brendshme.

Ajo tha se e vërteta për armët e shkatërrimit në masë të Irakut ndoshta nuk do të mësohet kurrë pasi shumë dokumente dhe të dhëna të tjera u shkatërruan në plaçkitjet që pasuan ndërhyrjen amerikane vitin e kaluar.

Të mërkurën ish-kryeinspektori amerikan për armët në Irak, David Kay tha se ai e mbështet zhvillimin e hetimeve të pavarura, pasi sipas tij, “informacionet për armët e shkatërrimit në masa të Sadam Huseinit ishin pothuajse përherë të gabuara.”

Ndërkohë ish shefi i inspektorëve të OKB-së për Irakun Hans Blix, tha sot se inspektorët ishin ndër të paktët që nuk gabuan ndonjëherë në Irak. Zoti Blix tha se ekspertët e OKB-së nuk u nxituan në marrjen e vendimit të tyre për ta shpallur Irakun fajtor apo të pafajshëm lidhur me zotërimin e armëve të shkatërrimit në masë. //kk//

XS
SM
MD
LG