Lidhje

SHBA dhe Arabia Saudite i kërkojnë OKB-së të ngrijnë pasuritë e një grupi bamirës saudit që ka lidhje me al-Kaidën - 2004-01-30


Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite po u kërkojnë Kombeve të Bashkuara të ngrijnë pasuritë e katër degëve të një grupi bamirës saudit që ka lidhje me terroristët e al-Kaidës. Kjo ngrirje do të përfshinte zyrat e grupit al-Haramain në Indonezi, Kenia, Tanzani dhe Pakistan.

Këto degë të al-Haramainit, tha Sekretari i Thesarit John Snow, “jo vetëm ndihmojnë në synimet për vdekje dhe shkatërrim, por edhe mashtrojnë shumë persona në mbarë botën, të cilët besojnë se kanë ndihmuar për të përhapur vullnetin e mirë dhe për të bërë një gjest bamirës.”

Në vitin 2003, qeveria saudite urdhëroi grupin al-Haramain të mbyllte të gjitha degët e tij jashtë vendit. Por pas mbikqyrjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, u arrit në përfundimin se degët e këtij grupi në Indonezi, Kenia, Tanzani dhe Pakistan nuk janë mbyllur.

Katër degët e al-Haramainit kanë lidhje me shpërthimin e tetorit të vitit 2002 në Bali të Indonezisë, të organizuar nga al-Kaida; shpërthimet e gushtit të vitit 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani nga al-Kaida si dhe përgatitjet që al-Kaida po bënte në Pakistan për të ndërmarrë sulme terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara. Nëse Kombet e Bashkuara i cilësojnë degët e al-Haramainit si përkrahëse të terrorizmit, të gjitha vendet anëtare do të detyrohen të ngrijnë pasuritë e këtij grupi, gjë që do t’i jepte fund veprimtarisë së kësaj organizate në këto vende.

Cofer Black është bashkërenduesi i Departamentit amerikan të Shtetit për anti-terrorizmin.

Kështu funksionon anti-terrorizmi. Ne duhet të tregohemi shumë të saktë dhe specifikë. Duhet të sigurohemi që paratë e dhëna për vepra në ndihmë të individëve të shpenzohet në një mënyrë që i shërben sigurisë së individëve.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera vazhdojnë të ndjekin terroristët e al-Kaidës dhe t’u presin atyre fondet. Dy të tretat e individëve që njiheshin si udhëheqës të al-Kaidës janë kapur ose janë vrarë. Kohët e fundit terroristi i al-Kaidës Hasan Ghul u kap në Irak. Siç tha presidenti Bush, ky individ “po dërgonte shuma parash dhe mesazhe në vende të Azisë jugore dhe të Lindjes së Mesme. Ai është pjesë e rrjetit të individëve që ushqejnë urrejtjen, të cilin ne po e eliminojmë.”

Por shumë terroristë të tjerë nga al-Kaida dhe grupe të tjera ende po fshihen, duke komplotuar për të gjetur mënyra si të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara dhe miqtë e aleatët e tyre. Për këtë arsye nuk duhet të dobësohet ajo që presidenti Bush e cilësoi “një ndjekje ndërkombëtare” e terroristëve.

//ze//

XS
SM
MD
LG