Lidhje

Sekretari i ri i Përgjithshëm i Natos po viziton Shtetet e Bashkuara - 2004-01-30


Zoti Jaap de Hoop Scheffer, ish-ministër i jashtëm i Holandës po zhvillon vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara që pasi u bë Sekretar i Përgjithshëm i Natës më 5 janar.

Vizita e tij dy ditëshe do të përfshijë një takim me presidentin Bush sot në Shtëpinë e Bardhë.

Aleanca me 19 anëtarë ka ndryshuar shumë që pas shpërbërjes së bllokut sovjetik. Kjo organizatë do të zgjerohet me 7 vende ish-komuniste nga Evropa qendrore dhe lindore.

Natoja, që dikur ishte e përqëndruar në mbrojtjen e Evropës perëndimore dhe Amerikës së Veriut, tani ka trupa që shërbejnë në misione në Kosovë, Afganistan dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në fakt, zyrtarët e administratës pritet t’i kërkojnë aleancës një angazhim më të madh në Afganistan dhe Irak gjatë muajve të ardhshëm.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Nato, Nicholas Burns, prezantoi zotin de Hoop Scheffer në hapje të një konference 2 ditëshe mbi rolin e aleancës në çështjet ndërkombëtare.

“Mendoj se udhëheqja amerikane do t’i shpjegojë atij gjatë këtyre takimeve se ne në Shtetet e Bashkuara kemi synime shumë ambicioze lidhur me rolin që Natoja duhet të luajë në Afganistan, ku shpresojmë se kjo organizatë do të marrë përsipër të gjitha operacionet ushtarake brenda 1 apo dy vjetësh. Ne mendojmë se Natoja duhet të jetë e pranishme si organizatë në Irak në vitin 2004 dhe 2005 dhe shpresojmë dhe e dimë se Sekretari i Përgjithshëm do të punojë për këtë pikësynim.”

Por zoti de Hoop Scheffer u kujtoi të pranishmëve se Natoja është një aleancë që bazohet mbi konsensusin. Ai la të kuptohej se çdo vendim apo angazhim i përbashkët ushtarak në Irak duhet të ishte rezultat i një vendimi të të gjithë anëtarëve.

“Nëse aleatët vendosin së bashku se duan që Natoja ta rrisë angazhimin e saj, ashtu do të veprohet. Por që të arrijmë atje, duhet që Natoja të shërbejë si forum ku çështja e Irakut të ngrihet për diskutim dhe ku të marrin formë qëndrimet tona të përbashkëta.”

Zoti de Hoop Scheffer tha se e ka të qartë që Shtetet e Bashkuara kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha ushtarake në Irak, Afganistan dhe zona të tjera të nxehta.

Por ai theksoi se edhe vende të tjera të Natos ndeshen me sfida ushtarake. Si rezultat aleanca duhet të përpiqet të gjejë rrugë për të përballuar më mirë çështjet e sigurimit botëror në të ardhmen.

“Forcat të shumta evropiane dhe kanadeze janë të dislokuara nëpër botë. Gjermania ka rreth 10 mijë trupa të dislokuara jashtë kufijve të saj, përfshirë edhe Afganistanin. Franca ka 30 mijë trupa të dislokuara, përfshirë edhe trupa të angazhuara në të gjitha misionet e Natos. Dhe me marrjen e komandës së forcave ndërkombëtare paqerujtëse në Afganistan, Kanadaja ka më shumë se 10 për qind të trupave të saj jashtë kufijve.”

Zoti de Hoop Scheffer tha se ka për qëllim që në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ndihmojë Naton të përmirësojë aftësitë e përgjithshme gjatë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG